Hamamet turke: Simboli i pastërtisë së trupit dhe shpirtit / Photo: TRT Balkan

Shumë pranë Pazarit të Madh në Istanbul gjendjet një shembull tjetër pasqyrues i kulturës së pasur turke, Hamami Çemberlitas. Hamami është i ndërtuar në vitin 1584 nga arkitekti i madh Mimar Sinan. Ky hamam është një nga dëshmitë e kulturës së banjove turke që vazhdon ende të funksionojë dhe të frekuentohet rregullisht.

“Hamamet nuk janë vetëm vende ku pastrohemi fizikisht; ato janë vende të pazëvendësueshme ku, që nga vitet e shkuara e deri më sot, pas një dite të lodhshme pune, pushojmë shpirtërisht”, u shpreh Manyola Civelek Gokgoz, menaxhere e marrëdhënieve me publikun e hamamit Çemberlitas.

Në një intervistë për TRT Balkan, menaxherja tregoi se si tradita e hamamit ka arritur deri më sot falë përkujdesit të turqve, por sigurisht edhe nga interesi i madh i turistëve të huaj.

Gokgoz tha se 70 % e klientelës së hamamit Çemberlitas janë të huaj, ndërsa 30 % janë vendas.

Ajo theksoi se vizitorët nga Ballkani janë po ashtu të shumtë, duke shtuar se ka periudha të caktuara në të cilën ballkanasit, kryesisht shqiptarët, frekuentojnë ambientet e hamamit të tyre. Sipas Gokgoz, shtatori eshte një nga muajt me klientelën më të shumtë shqiptare.

Një udhëtim në kohë

Hamamet janë qendra të rëndësishme historike dhe kulturore në trashëgiminë turke.

Gjatë periudhës osmane, kultura e larjes ishte mjaft e rëndësishme dhe u bë akoma dhe më e përhapur me ardhjen e ujit të rrjedhshëm duke u bërë një simbol i pastërtisë trupore dhe shpirtërore.

Nën ndikimin e Islamit, që i kushton një rëndësi të madhe pastërtisë trupore, myslimanët i dhanë rëndësi të madhe hamamit, ndërsa për turqit hamami u bë një element i domosdoshëm i qyteteve dhe vendbanimeve.

Hamamet turke konsiderohen si vazhdim i termave romake dhe atyre islame, ku më pas u sollën në një formë unike që njihen sot nga të gjithë si një përvojë tradicionale e banjës turke.

Fjala “hamam” rrjedh nga arabishtja, që do të thotë “ngrohje,” duke nënkuptuar kështu një vend për larje dhe relaksim.

Në Perandorinë Osmane, hamami nuk ishte vetëm një vend për higjienë personale, por edhe një hapësirë për socializim, ku njerëzit jo vetëm relaksoheshin, por edhe komunikonin, festonin dhe kryenin ngjarje të rëndësishme jetësore. Aty organizoheshin ceremoni si festa e nuses apo dhëndrit, përcjellja e djemve për në ushtri, lindja e një fëmije, ritin e synetllikut, madje edhe për shkuesi.

Përtej aspektit kulturor, hamamet janë njohur për përfitimet e tyre shëndetësore, duke ndihmuar në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, pastrimin e lëkurës, relaksimin muskulor dhe uljen e stresit.

Arkitektura dhe funksionaliteti

Hamamet turke dallohen për dizajnin e tyre arkitekturor, të bazuara në forma katrore dhe një ndarje të menduar mirë të hapësirave.

Hamamet turke kanë zakonisht një plan katror dhe përbëhen nga hyrja, zona të përgjithshme larjeje dhe dhomë kalimtare midis zonave të ftohta dhe të ngrohta, si dhe zona për ndërrim.

Zona e nxehtë, njëkohësisht edhe më kryesorja, e cila ka një mermer të madh në mes për masazh dhe larje, me një hapësirë qendrore të mbuluar me kupolë, të rrethuar nga dhoma të vogla larjeje (halvet) dhe zona të përgjithshme larjeje (eyvan). Külhan-i, zona që ndodhet pas hamamit, shërben si depo karburanti dhe sistem ngrohjeje.

Hamamet ndaheshin edhe në banja private dhe publike, ndërsa ndarja gjinore i përcaktonte si teke dhe çifte hamame. Teke hamamet zakonisht ishin për burra, por hapeshin për gratë në orare të caktuara, ndërsa çifte hamamet kishin hapësira të ndara për burra dhe gra.

Objektet tradicionale të hamamit pasqyrojnë pasurinë estetikën e kësaj kulture. Këto përfshijnë legenët, ibrikët, enët e temjanit, sapunët, dorezat për pastrim, drasat prej druri, peştamalet (veshje tradicionale për banjë) dhe peshqirët.

Sistemet e ngrohjes dhe furnizimit me ujë ishin shumë të avancuara për kohën, ndërsa ndriçimi sigurohej përmes dritareve të vogla të vendosura në kube.

Një lidhje mes të shkuarës dhe së tashmes

Edhe në ditët e sotme, hamamet turke mbeten destinacione të preferuara, veçanërisht në dimër, kur ritualet e ngrohta të pastrimit dhe relaksimit janë më të nevojshme.

Hamamet janë dëshmi e kulturës së pasur turke, ku sot funksionojnë dhe mirëmbahen si pjesë të rëndësishme trashëgimisë historike dhe kulturore. Ato vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e vizitorëve nga e gjithë bota, duke ruajtur shpirtin e traditës osmane.

“Fakti që këtu ka hamame historike që kanë ekzistuar prej shekujsh, padyshim që është tërheqës dhe sjell një farë atraksioni për këtë vend”, tha një nga turistët, i cili kishte ardhur së bashku me bashkëshorten e tij për të provuar këtë eksperiencë.

Të tjerë turistë që ndodheshin në hamam treguan se ishin të interesuar për Arkitektin Sinan, i cili ka ndërtuar shumë hamame të lashta dhe një ndër to edhe Çemberlitasin.

“Ishte vërtet fantastike, ishte hera ime e parë. E shijova shumë këtë hamam. Vij nga Holanda. Nuk e kisha bërë kurrë më parë. Lëkura ime është e pastruar. Ndihem e rilindur”, u shpreh turistja holandeze, së cilës përvoja e banjove turke i kishte lënë mbresa.

Shtrirja në Ballkan

Pas shekujve XIV-XV, me ardhjen e osmanëve në Ballkan, hamamet u bënë pjesë e strukturës urbane në qytete si Durrësi, Elbasani, Berati dhe Gjirokastra, duke ruajtur karakterin unik të traditës osmane.

Edhe në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hecergovinë dhe Serbi, disa prej këtyre hamameve vazhdojnë të funksionojnë dhe të ruajnë traditën. Megjithatë, shumë prej këtyre monumenteve janë lënë në duar të fatit.

TRT Balkan