TRT Balkan ka përgatitur masterclass “Jeta ndërmjet pikave të kontrollit” që do të mbahet në kuadër të Festivalit të Shtatë Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans (AJB DOC).
Autorët e masterclass-it, të cilët do t'i shfaqin audiencës sfidat e jetës në Bregun Perëndimor të pushtuar janë drejtori i TRT Balkan Emre Baştuğ dhe producentja e kanaleve digjitale të TRT Balkan Melida Mustafiq.
Masterclass do të mbahet më 14 shtator në sallën 2 të kinemasë së Sarajevës Cineplexx në orën 13:00 dhe të gjithë të interesuarit mund t'i marrin ftesat për këtë event në Cineplexx çdo ditë nga ora 16-21.
Si pjesë e masterclass, Baştuğ dhe Mustafiq do të prezantojnë historinë e krijimit të një filmi dokumentar të shkurtër me të njëjtin emër, të xhiruar duke përdorur një telefon, stabilizues dhe mikrofon, i cili eksploron jetën e grave të huaja të martuara me palestinezë në Bregun Perëndimor.
“Fokusi i filmit janë gratë jomyslimane që janë të martuara me palestinezë. Ne i filmuam sepse donim të tregonim se nuk janë vetëm myslimanët ata që janë në shënjestër të sionistëve, por të gjithë njerëzit që nuk pajtohen me ideologjinë e tyre, pa dallim feje apo kombi. Këtyre grave u mohohen të drejtat themelore të njeriut nga Izraeli, duke i ndëshkuar në njëfarë mënyre për martesën me palestinezët dhe lindjen e fëmijëve palestinezë”, thotë Baştuğ.
Filmi nis në Jerusalem (Kuds), ku autorët ranë në kontakt me një grua nga Ballkani. E kufizuar nga ligjet izraelite, ajo nuk mund të takohej lirisht me ta, kështu që ekipi i TRT Balkan kaloi postbllokun në Betlehem për ta intervistuar.
Kjo përvojë u dha atyre një pasqyrë unike në luftën e përditshme të të huajve që jetonin nën okupim.
Biseda zbuloi realitetin e ashpër me të cilin përballet thjesht sepse është e martuar me një palestinez, edhe pse ka një pasaportë që duhet t'i mundësojë lirinë e lëvizjes.
Përparësitë e teknologjive të reja
Ata e xhiruan filmin duke përdorur vetëm një telefon, një stabilizues dhe një mikrofon, kështu që një pjesë e masterclass do t'u kushtohet teknologjive të reja që u mundësuan atyre të përballen me sfidat dhe rreziqet e dokumentimit të jetës nën okupimin izraelit.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme të shpjegojmë se si mund të krijohet përmbajtje me këto tri pajisje të thjeshta, me theks të veçantë për mënyrën e përdorimit të tyre në situata lufte apo situata tjera të krizës, por edhe pse është e rëndësishme të përdoren të gjitha avantazhet e teknologjisë moderne”, shpjegon Baştuğ.
“Falë teknologjisë, ne arritëm të regjistronim shpejt dhe të shkrepnim pamjet që dëshironim pa u vënë, por edhe t'i ruanim sepse ka shembuj të shumtë të gazetarëve që u kanë humbur përmbajtjet e tyre të regjistruara ose u është marrë me forcë dhe është fshirë”, shton ai.
Nëpërmjet një rishikimi të punës në këtë film, si dhe projekteve të tjera që kanë realizuar në Palestinë, veçanërisht në Bregun Perëndimor të pushtuar, Baştuğ dhe Mustafiq do t'u shpjegojnë të pranishmëve rëndësinë e përgatitjes së mirë për xhirimet në rrethana të pasigurta.
“Do të doja të flisja gjithashtu për atë që po ndodh aktualisht në Betlehem, qyteti ku u zhvillua filmi, por edhe në qytete të tjera në Bregun Perëndimor si Hebroni dhe Jenini. Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij në këto pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, gjë e cila ndikon në jetën tashmë të vështirë të banorëve të asaj zone”, thekson ai.
Nuk është e lehtë të jesh gazetar apo punëtor filmi në Palestinë, shtoi ai në fund, duke theksuar se megjithatë është thelbësore të zbulosh dhe t'i dërgosh botës të vërtetën për atë që po ndodh në këtë pjesë të planetit.
Kush janë Emre Baştuğ dhe Melida Mustafiq?
Emre Baştuğ është drejtor i TRT Balkan dhe përfaqësues i TRT (Korporata Turke e Radios dhe Televizionit) në Bosnjë e Hercegovinë. Ka studiuar gazetari në Universitetin Bahçeşehir në Istanbul.
Identiteti i tij gazetaresk u formua kryesisht nga angazhimi i tij për të shkruar histori nga vende të ndryshme dhe duke kontribuar në revista të shumta dhe institucione mediatike ndërkombëtare.
Karriera e tij u shënua nga një përkushtim i madh ndaj gazetarisë së fokusuar te njerëzit, tregimet dhe inovacioni digjital.
Melida Mustafiq është një punonjëse e përkushtuar mediatike e cila aktualisht jeton në Istanbul dhe punon si producente në kanalin digjital TRT Balkan. Pasioni i saj për gazetarinë është i dukshëm në karrierën e saj të pasur akademike: ajo u diplomua për gazetari në Universitetin e Ankarasë, përfundoi masterin për menaxhimin e mediave të reja dhe komunikimit në Universitetin e Istanbulit, ku aktualisht po ndjek studimet e doktoraturës në radio, TV dhe film.
Ajo ka fituar përvojë në aspekte të ndryshme të medias, duke përfshirë fotografinë, shkrimin dhe prodhimin televiziv. Melida është e përkushtuar të përdorë gazetarinë si një mjet për t'u dhënë zë atyre që shpesh nuk i dëgjojmë. Ajo shpreson që një ditë të përcjellë njohuritë dhe përvojën e saj si mësuese.