Djaloshi që ruan artin e skalitjes në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.         Foto: TRT Balkan

Ka disa tinguj që sfidojnë kohën, e një ndër ta është ai i veglave të punës së njërit ndër skalitësit e rrallë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit e më gjerë. Pikërisht nën këta tinguj gjetëm edhe punëtorinë e tij.

Jetmir Sefa Koka, një 19-vjeçar nga Shkupi, është një artizan i talentuar që ka trashëguar dhe vazhduar me pasion zanatin e skalitjes në dru, një traditë e vyer familjare e filluar nga babai i tij. Me përkushtim dhe mjeshtëri, Jetmiri punon në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, një hapësirë e njohur për ruajtjen e vlerave kulturore dhe artizanale.

“Unë këtë zanat prej në 6-7 vjeç me babain tim e di qysh e ka punu, ia kam fillu ta kuptoj, me vite vetëm e kam kshyr, s’kam punu aspak. E pastaj kur e kam marrë ta punoj, e kam ditur se si të bëhet,” thotë Jetmiri, duke treguar se si zanati është pjesë e jetës së tij që nga fëmijëria.

Ky art nuk është vetëm një zanat për të, por një pasion që e mbart në zemër. “Pikë së pari më fle në zemër, ashtu siç thash prej në vegjëli me këtë jam rrit dhe më flen në zemër si zanat. Profitabil nuk është aq, por kur punohet më plotëson si zanat,” shton ai.

Jetmiri kujton gjithashtu se babai i tij, një mjeshtër i natyrës, asnjëherë nuk ka mësuar zanatin në ndonjë shkollë, por ka zhvilluar aftësitë e tij përmes pasionit dhe krijimtarisë. “Fillimisht ka vizatu, ka punu në dru, ka bërë vizatime në dru, piktura në letër, në pëlhurë në përgjithësi,” tregon Jetmiri për trashëgiminë e tij.

Një nga veprat më të mëdha të tij është “xhamia e Lubotenit,” e cila është e tëra brenda punuar me dru, duke përfshirë shtyllat dhe elementet e tjera të skalitura me mjeshtëri. “Veprën më të madhe që e ka bë është ‘xhamia e Lubotenit’, që është e tëra brenda e punuar me dru, si shtyllat dhe gjithçka e punuar me dru, me skalitje,” tregon ai.

Megjithatë, Jetmiri pranon se nuk ka shumë vepra publike këtu në Shkup, pasi më së shumti punon me porosi, ndërsa disa prej veprave që ai aktualisht është duke i rregulluar janë kornizat, shqiponja dhe ura e gurit, të cilat mbajnë stilin e tij të veçantë.

“Kur e bën veprën artistike që të vjen prej shpirtit, ajo kush e sheh me atë syrin që di ta shohë, e sheh sikur po e lexon një libër. Çdo vepër ka një mesazh,” shpjegon Jetmiri pasionin që ndjen për artin e tij.

Megjithatë, ai thekson se është një periudhë e vështirë për ta mbajtur këtë zanat gjallë, sidomos tek të rinjtë, pasi shumë prej tyre nuk janë të vetëdijshëm për ekzistencën e këtij arti të bukur. “Në këtë periudhë është goxha e vështirë ta mbash këtë zanat gjallë, sidomos tek të rinjtë. Disa nuk e dinë që ekziston ky art. Këtu në Çarshi posaçërisht jemi vetëm ne që e bëjmë këtë punë me skalitje të drurit,” thotë ai.

Jetmiri ka një dëshirë të madhe që ky zanat të vazhdojë të ruhet dhe të kalojë te brezat e rinj. “Kisha pasur dëshirë të jap një mesazh për të rinjtë që ky zanat i drurit, i skalitjes, puna e dorës në përgjithësi të mos humbet, por të vazhdohet, që të dihet se ka ende dikush që punon punë dore në kohën e sotme,” përfundon ai, duke shpërndarë një mesazh të fuqishëm për ruajtjen e traditave artizanale.

Jetmir Sefa Koka është një shembull i gjallë i pasionit dhe dedikimit për ruajtjen e artit të skalitjes, një trashëgimi që kalon nga brezi në brez dhe mbetet një thesar i çmuar i kulturës kombëtare shqiptare.

TRT Balkan