Banesa Belaj në lagjen Partizani në qytetin e Gjirokastrës është një tjetër Monument Kulture i Kategorisë I, në Shqipëri i cili ka përfituar nga programi i Ministrisë së Kulturës, “Bonusi i Rijetësimit”.
Përveç punës restauruese në arkitekturën e saj unike, ndërhyrje siç shkruan në Facebook, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, po kryhen edhe për nxjerrjen në dritë të pikturave murale në fasadë dhe në Odën e Mirë, ku piktura me vlera të veçanta kanë qenë të mbuluara për dekada me radhë nga lyerjet me gëlqere. Ato paraqesin në përgjithësi kompozime me motive shpendësh dhe vazo me lule.
“Pas pastrimit të gëlqeres, befasues ishte dhe zbulimi i nje peisazhi nga Istanbuli i viteve 1800. Po punohet, gjithashtu, për pastrimin dhe konsolidimin e tavanit dekorativ dhe frizave të dekoruara të musandrave”, shkruan Margariti.
Ecuria e punimeve restauruese është ndjekur nga afër prej specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Restaurimi në tërësi i “Banesës Belaj” dhe në veçanti i veprave të artit që ajo përmban, si pjesë integrale të saj, sjell një vlerë të shtuar jo vetëm për këtë banesë, por për gjithë rijetëzimin dhe zhvillimin e turizmit në qytetin e Gjirokastrës.