Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se Xhamia e Plumbit në Shkodër brenda vjeshtës së këtij viti do të jetë gati për besimtarët dhe vizitorët.
Në lidhje me punimet e restaurimit që po realizohen me mbështetjen financiare të Türkiyes, Rama ka shkruar në rrjetet sociale se punimet po ecin me ritme të shpejta.
"Punimet po ecin me ritme të shpejta për ta kthyer aty ku i takon këtë objekt kulti të veçantë, të cilësuar si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës", ka shkruar Rama.
Xhamia, e cila mbart vlera të rralla arkitekturore në vend, po restaurohet me mbështetjen financiare të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Türkiyes, ndërkohë punimet për restaurimin filluan në shtator të vitit 2022.
Xhamia e Plumbit është xhamia më e madhe që ruhet në Shqipëri e stilit osman, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera.
Xhamia është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.
Në vitin 1948 Xhamia e Plumbit u shpall monument kulture, duke pasur statusin e mbrojtjes nga shteti.
Në vitin 1967, kur edhe zyrtarisht u ndalua feja në Shqipëri, xhamia pësoi dëmtime, sidomos me rrënimin e minares, ndërkohë në periudha të ndryshme ajo nuk është përdorur zyrtarisht për kryerjen e riteve.