Dokumentari i metrazhit të shkurt "Fran dhe Verka; ose një ditë e zakonshme në një fshat të braktisur" të regjisorit Sovran Nrecaj nga Kosova është filmi i vetëm nga një regjisor shqiptar që do të shfaqet në edicionin e sivjetshëm të Sarajevo Film Festival.
Filmi e përshkruan jetën e Franit dhe Verkës, banorëve të vetëm të Vërnakollës, një fshat në Komunën e Vitisë në rajonin e qytetit të Gjilanit në lindje të Kosovës.
Në këtë vend çifti u takuan për herë të parë para shumë vitesh, ku edhe u martuan dhe që atëherë jetojnë.
Fshati në kujtime e tyre është i gjallë me plot fëmijë që luanin në rrugë dhe ku dasmat zgjasnin për një javë.
Pas luftës së vitit 1999 në Kosovë, gjithçka ndryshoi. Të gjithë, përveç Franit dhe Verkës, u larguan nga fshati. Historia e tyre është një dëshmi e lidhjeve të pathyeshme që na lidhin me atë që ne e quajmë shtëpi dhe me vendin ku i përkasim.
Sipas programit të SFF-së, dokumentari në fjalë është planifikuar të shfaqet më 13 gusht në mbrëmje.
Festivali i Filmit në Sarajevë filloi të premten, më 11 gusht, me premierën e filmit "Kiss the Future" me regji të Nenad Çiçin-Shain (The Time being), skenari i të cilit është nënshkruar nga Çiçin-Shain dhe Bill Carter. (Miss Sarajeva).
Në edicionin e 29-të të SFF-së do të shfaqen më shumë se 220 filma nga e gjithë bota dhe 49 premiera nga rajoni i Ballkanit. Filmat do të shfaqen në më shumë se 30 lokacione në Sarajevë ndërsa shfaqje të shumta do të jepen edhe në Mostar dhe Tuzëll.
Edicioni i sivjetmë i SFF-së do të zgjasë deri më 18 gusht, kur në mbyllje të festivalit para Flakadanit të përhershëm do të performojë dyshja elektronike ukrainase Artbat.
Ndryshe, muaji gusht në Sarajevë shënohet rregullisht nga Festivali i Filmit, i cili tërheq numër të madh vizitorësh nga shumë vende. Qytetarët e Sarajevës dhe mysafirët e tjerë, si në vitet e kaluara, presin filma dhe argëtim të mirë nga Festivali i Filmit në Sarajevë.