Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor shënon 71-vjetorin / Photo: ATA

“Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) feston sot një udhëtim të gjatë dhe plot shkëlqim, me gjenerata artistësh që janë ngjitur në skenë e që kanë përcjellë magjinë e artit, duke dhuruar emocione të papërsëritshme”, shkroi Ministria e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Inovacionit, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në Shqipëri. Data e krijimit lidhet me 27 nëntorin e vitit 1953, kur u realizua opera e parë , “Rusalka”, e kompozitorit rus A.S. Dargomizhsky. Kjo datë hyri në historinë e TKOB-it si dita e themelimit të këtij teatri edhe pse në atë kohë ishte ende pjesë e Filarmonisë së Shtetit.

Këshilli i Ministrave, në vitin 1956, me qëllim krijimin e kushteve më të favorshme për një drejtim më të mirë të institucioneve qendrore artistike, vendosi krijimin më vete të Teatrit Lirik të Operas dhe Baletit, me një kontingjent prej 246 vetash.

Në vitin 1957, një vit më pas, u krijua dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili u bë pjesë e TKOB-it.

Si institucioni më i madh muzikor dhe skenik i vendit, TKOB-i vendoset në godinën e Pallatit të Kulturës në vitin 1966, aty ku edhe sot vazhdon aktivitetin e tij.

TKOB-i është një teatër repertori, me një numër të madh veprash shqiptare dhe të huaja. Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka në përbërje të tij rreth 250 artistë me kohë të plotë, të cilët janë pjesë e orkestrës, korit, trupës së baletit, solistëve lirikë dhe Ansamblit Popullor.

ATA