Türkiye ka mirëpritur zbulimin e një kompleksi monumental në Mongoli që besohet se i përket Ilterish Kutlug Kagan, themeluesit të Gokturk Khaganate-it të dytë.
“Zbulimi i kompleksit të mërkurën në rajonin Nomgon të Mongolisë, ku ndodhet edhe Otukeni historik, është pritur me emocion dhe kënaqësi”, tha Ministria e Jashtme e Türkiye-s, në një deklaratë.
"Ky është zbulimi i tretë i rëndësishëm brenda gjeografisë së Mongolisë pas Mbishkrimeve Orkhon (Kul Tigin dhe Bilge Kagan) dhe Mbishkrimet Bilge Tonyukuk të gjetura përkatësisht në 1889 dhe 1897”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Më tej nga ministria shtojnë se ky zbulim i fundit, duke qenë një shenjë e bashkëpunimit turko-mongol, është një pikë kthese e rëndësishme për historinë turke dhe është gjithashtu një monument i ri që i shtohet pasurisë kulturore të Mongolisë.
Gërmimet u kryen "nga Akademia Turke në Nur-Sulltan, një nga komponentët e Organizatës së Shteteve Turke, së bashku me Institutin Arkeologjik Mongol", informoi ministria.
Duke folur në një konferencë pwr shtyp në kryeqytetin mongol të mërkurën, kreu i Akademisë Ndërkombëtare Turke Darhan Kidirali, tha se kompleksi monumental është 49 m2 dhe besohet të jetë pjesa më e vjetër e shkruar e historisë nga periudha Gokturk, e cila daton më nga shekulli i 6-të.
Besohet gjithashtu të jetë përmendja më e vjetër e njohur e shkruar e fjalës 'turk'.
Bashkëpunimi dypalësh
Në korrik, mbetjet e rezidencës verore të Hulagu Khan të Perandorisë Ilkhanate u gjetën në distriktin Caldiran të provincës Van të Türkiye përmes punës së përbashkët të historianëve dhe arkeologëve turq dhe mongolë.
Gërmimi, ruajtja dhe promovimi i këtyre monumenteve do të vazhdojë të jetë një nga fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit mes dy vendeve, tha Ministria e Jashtme e Türkiye-s.
“Në këtë aspekt, ne dëshirojmë të falënderojmë autoritetet mongole për mbështetjen e tyre në proces dhe të gjithë shkencëtarët që morën pjesë në gërmime”, theksuan nga ministria.
Të martën u njoftua se gjatë gërmimeve arkeologjike të kryera që nga viti 2019 në rajonin Nomgon të Mongolisë u zbulua kompleksi i Kutlug Ilterish Kagan, babai i Bilge Kagan dhe Kul Tigin, dhe një mbishkrim.
Përveç këtyre artefakteve, në zonën e gërmimit u zbuluan 51 balbale (stela Kurgan) dhe mbetjet e një ndërtese që mendohet të jetë një vend kulti.