Në Kelmend të Malësisë së Madhe u organizua “Logu i Bjeshkëve”, një event i përvitshëm që promovon vlerat dhe traditat më të bukura të maleve shqiptare, e ku për çdo vit, një juri e specializuar përzgjedh vajzën më të bukur të Bjeshkëve.
Fitusese e Logut të Bjeshkëve “Miss Bjeshka 2022” u shpall vajza nga Kelmendi, Dila Bunja.
“Logu i Bjeshkëve”, organizohet prej 24 vitesh dhe një nga veçantitë që promovon më shumë, është xhubleta.
Xhubleta, veshja unikale tradicionale shqiptare si trashëgimi shpirtërore vjen e shpalosur në të gjitha format dhe dimensionet e saj në festivalin tradicional “Logu i Bjeshkëve”.
Ky kostum dhe dijebërja e tij ka udhëtuar shumë në kohë, duke treguar për gjurmët e qytetërimit ilir në kulturën shqiptare, të cilët e dizenjonin në mënyra në dukje të bukura, por që në vetvete krijojnë simbole që na sjellin mesazhe të cilat ende dhe sot një pjesë prej tyre nuk mund ti shpjegojmë dot.
Sipas Drejtorisë Rajonale Trashëgimore të Shkodrës, xhubleta, do të rrugëtojë në UNESCO si një gjest mbijetese, e përkujdesjeje ndaj kulturës sonë kombëtare me vlera të pasura e të patjetërsueshme shpirtërore.