Biznismeni i njohur Elon Musk me të ardhur në krye të Twitter-it u ka bërë thirrje punonjësve të kësaj kompanie që të tregojnë gatishmëri të punojnë me orar të zgjatur, ndryshe mund të largohen.
Ky propozim nuk u pëlqeu një pjese të konsiderueshme të punonjësve të cilët tashmë kanë filluar ta braktisin punën.
Portali “The Verge”, i cili merret me lajme nga bota e teknologjisë, bëri të ditur se mesazhet për largimin nga puna të punonjësve të shumtë janë komunikuar nëpërmjet Slack, një kanal për komunikim të brendshëm në Twitter.
“Kështu, pas 12 vitesh u largova nga Twitter-i”, ka shkruar inxhinieri Satanjeev Banerjee.
Një punonjës tjetër shkroi se ai “përfundoi punën në Twitter 1.0” dhe se “nuk dëshiron të jetë pjesë e Twitter-it 2.0”.
“Nga ky vend po largohen të gjithë ata që e bënë të veçantë. Stafi që mbetet, sado që të punojë, do ta ketë të vështirë të shpëtojë Twitter-in”, ka shkruar një nga punonjësit.
Nga ana tjetër, gazeta “The New York Times” njoftoi se Musk u takua me “punonjësit, puna e të cilëve është kyç” dhe u përpoq të parandalojë largimin e tyre.
“Me padurim presim të punojmë me ju në të ardhmen emocionuese të Twitter-it”, u shkroi ai disa punonjësve, që e publikoi CNN-i.
“The New York Times” raportoi se Twitter për shkak të largimit të punonjësve mbylli përkohësisht zyrat e saj ndërsa në një njoftim tjetër thuhet se zyrat do të hapen më 21 nëntor, por nuk dihen detaje për arsyet e mbylljes.
Të mërkurën, kur Musk u bëri thirrje punonjësve të përgatiten për orar të zgjatur ose të largoheshin brenda 36 orëve, kompania kishte 2.900 punonjës.
Musk në një e-mail shkroi se ata që do të largohen do të marrin kompensim në vlerën e të paktën tri pagave.