Shqipëria kualifikohet në finalen e Eurovision 2023 / Photo: Reuters

Albina dhe Familja Kelmendi të cilët dhuruan shumë energji dhe adrenalinë me këngën e tyre “Duje” në gjuhën shqipe në Liverpool, u kualifikuan të parët për në finalen e festivalit Eurovision 2023.

Këngëtarja Albina dhe Familja Kelmendi kanë zgjedhur ngjyrat e kombit që përfaqësojnë për ti shpalosur në Eurovision 2023 që, përveç mesazhit të këngës për një familje të bashkuar, treguan dhe dashurinë për vendin e tyre.

Albina dhe Familja Kelmendi ishin renditur të 14-tët në radhë për të performuar në gjysmëfinalen e dytë të Eurovision 2023, një nga ngjarjet muzikore më të ndjekura me miliona shikues.

Përveç Shqipërisë, në natën e dytëfinalen e siguruan edhe Qiproja, Estonia, Belgjika, Lituania, Austria, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia. Ato iu bashkuan dhjetëshes së gjysmëfinales së parë: Kroacisë, Moldavisë, Zvicrës, Finlandës, Republikës Çeke, Izraelit, Portugalisë, Suedisë, Serbisë dhe Norvegjisë.

Njëzet shteteve në finale do t’u bashkohen edhe pesë shtetet finaliste të përhershme, si themeluese të festivalit: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja.

Në gjysmëfinalen e parë, pas përfundimit të paraqitjeve të shteteve konkurrente, kishte performuar këngëtarja Rita Ora, që elektrizoi publikun në Liverpool.

Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria kanë hequr dorë nga pjesëmarrja e këtij viti, e kjo për shkak të rritjes së tarifave.

Të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë për Shqipërinë me kodin 14 për të provuar sërish emocionet e forta që përcolli Albina dhe Familja Kelmendi me këngën përfaqësuese në natën finale që do të mbahet më 13 maj.

TRT Balkan