Industria e lojërave ka shpërthyer në shekullin XXI dhe po shënon rritje gjithnjë e më shumë në vitet e fundit. Qoftë në celuar ose kompjuter, qoftë në platformat e specializuara për lojëra si Playstation apo X Box, lojërat po tërheqin gjithnjë e më shumë njerëz, kryesisht të rinj. Rreth 3 miliardë njerëz globalisht janë përdorues të lojërave.
Përmirësimi i teknologjisë e ka shtyrë këtë industri në një tjetër nivel, si në aspektin e qasshmërisë ashtu edhe për krijimin e lojërave gjithnjë e më cilësore dhe atraktive.
Madje, disa prej lojërave më tradicionale janë kthyer në e-sporte të ndjekura globalisht nga miliona njerëz, duke hapur një faqe krejt të re për këtë industri.
Qindra miliarda dollarë për lojëra
Sipas vlerësimeve, industria e lojërave gjeneron rreth 200 miliardë dollarë gjatë vitit 2022. Kjo është një rritje e madhe për vetëm 2 vjet krahasuar me vitin 2020, kur industria vlerësohet të peshonte rreth 155 miliardë dollarë, ndërsa thuajse është dyfishuar në pesë vitet e fundit.
Pandemia e Covid-19 dhe restriksionet e lëvizjes së qytetarëve i dhanë një shtysë më tepër rritjes së industrisë së lojërave.
Parashikimet e ekspertëve për të ardhmen janë se industria e lojërave do të vazhdojë të rritet, edhe atë me një mesatare prej 12-13% në vit, duke kaluar vlerën e 500 miliardë dollarëve deri në vitin 2030.
Kinezët, amerikanët dhe japonezët shpenzojnë më shumë
Sipas të dhënave, Kina dhe ShBA-ja kryesojnë listën e vendeve ku industria e lojërave gjeneron më shumë të ardhura. Të dyja vendet gjenerojnë rreth 45 miliardë dollarë në vit secila. Pas tyre vjen Japonia, ku kjo industri peshon rreth 20 miliardë dollarë.
Listën e 10 vendeve që gjenerojnë më shumë të ardhura e plotësojnë Koreja e Jugut, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja, Italia dhe Brazili.
Në përllogaritjen e këtyre shpenzimeve përfshihen vetëm blerja e lojërave dhe mikrotransaksionet brenda lojës, pra nuk llogariten shpenzimet për blerjen e platformave.
Shqetësimet shëndetësore
Lojërat janë të mira për rekreacion dhe zbavitje, por me përhapjen e kësaj industrie, po rriten edhe shqetësimet lidhur me efektet e mundshme negative shëndetësore. Studiuesit kanë vërtetuar një sërë efektesh negative që lidhen me përdorimin e tepër të lojërave.
Hulumtimet tregojnë se kalimi i një kohe të gjatë në lojëra, rrit obezitetin te fëmijët. Për arsye të dukshme, sepse fëmijët privojnë veten nga aktiviteti fizik duke përmbushur një pjesë të madhe të ditës para një ekrani.
Ekspozimi i tepërt ndaj “dritës blu” – rrezet e ekranit – gjithashtu vjen me pasoja të rënda, shpesh të përhershme për shikimin.
Një problem edhe më i madh është zhvillimi i varshmërisë ndaj lojërave, që ngërthen në vete një sërë pasojash negative ndaj jetës sociale të individëve.
Prandaj, Universiteti i Harvardit rekomandon përdorim të moderuar të lojërave për të mbrojtur shëndetin fizik dhe mendor.
“Video-lojërat mund të jenë zbavitje dhe aktivitet social nëse integrohen në një mënyrë të shëndetshme të jetesës, që përfshinë shumë gjumë, ushtrime fizike dhe ushqim të shëndetshëm, në vend se të lejoni që loja të bëhet e gjithë jeta juaj”, thuhet në rekomandimet e Harvardit.