Studimi i Universiteti Berkeley në SHBA ka zbuluar efektet e pagjumësisë mbi raportet e njeriut me të tjerët.     Foto: AA

Mungesa e gjumit i bën njerëzit më pak bujarë dhe më pak të gatshëm për t'u ndihmuar të tjerëve, treguan rezultatet e hulumtimit të Universitetit Berkeley në ShBA.
Bazuar në këtë studim të publikuar në revistën shkencore PLOS Biology, njerëzit e lodhur kanë më pak gjasa t'i ndihmojnë një personi të moshuar gjatë shfrytëzimit të ashensorit ose të ndihmojnë një të huaj të plagosur në rrugë.
Studimi, gjithashtu, analizoi tendencën për të dhuruar në ShBA, pas fillimit të llogaritjes verore të kohës, kur pushimi i natës zakonisht shkurtohet me një orë për miliona njerëz në mbarë botën. Hulumtimi tregoi se njerëzit e privuar nga gjumi dhe të lodhur dhanë mesatarisht 10 për qind më pak në javën pas ndryshimit të orës.

"Mungesa e gjumit për një natë u shoqërua me një ulje të ndjeshme të dëshirës për ndihmë, në krahasim me gjendjen e pushimit të plotë, qoftë për të huajt ose për ata që i njohin'', thuhet në analizën e Univeristetit Berkeley.

Prej kohësh dihet se një sasi e mjaftueshme e gjumit cilësor është e lidhur ngushtë me shëndetin, ndërsa gjumi i dobët shoqërohet me probleme të shumta psikologjike dhe sëmundje fizike. Studiuesit thanë se me këtë studim ata ishin në gjendje të tregonin se si gjumi i pamjaftueshëm jo vetëm që dëmton individin, por gjithashtu ndikon negativisht në raportet me njerëzit në mjedisin e tyre.

Një natë pa gjumë
Studimi i publikuar në muajin gusht të këtij viti përbëhet prej tri pjesëve, të cilët i vlerësuan ndikimet e humbjes së gjumit të njerëzve në raport me vullnetin e tyre për të ndihmuar të tjerët.
Në studimin e parë, shkencëtarët vendosën 24 vullnetarë të shëndetshëm në një imazh funksional të rezonancës magnetike, (functional magnetic resonance imager - fMRI) për të skanuar trurin e tyre pas tetë orësh gjumë dhe pas një nate pa gjumë. Ata zbuluan se zonat e trurit që formojnë rrjetin e teorisë së mendjes, i cili angazhohet kur njerëzit ndiejnë empati me të tjerët ose përpiqen të kuptojnë dëshirat dhe nevojat e njerëzve të tjerë ishin më pak aktive pas një nate pa gjumë.

TRT Balkan / agjencitë