OBSH: "Gjysma e popullsisë së botës është në rrezik nga ethet e dengës".  / Foto: AA

Gjysma e popullsisë së botës është në rrezik të infektimit me virusin e dengut të transmetuar nga mushkonjat, paralajmëroi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).

Raman Velayudhan, kreu i Divizionit të Sëmundjeve Tropikale të OBSh-së, u tha gazetarëve në selinë e OKB-së në Gjenevë se OBSh-ja ka parë një rritje tetëfish të rasteve të dengës midis viteve 2000 dhe 2022, nga 500.000 raste në 4,2 milionë.

Velayudhan theksoi se shifra reale mund të jetë shumë më e lartë.

"Rreth gjysma e popullsisë së botës është në rrezik nga ethet e dengës dhe virusi i dengut prek afërsisht 129 vende," tha ai, duke vënë në dukje se vlerësimet tregojnë se 100 deri në 400 milionë infeksione ndodhin çdo vit.

Ai vuri në dukje se denga është një sëmundje serioze që zakonisht është një infeksion viral që transmetohet nga personi në person nga pickimi i mushkonjave.

“Tetëdhjetë për qind e rasteve janë asimptomatike”, shtoi ai.

Aktualisht, vaksina e vetme në treg është Sanofi Pasteur, sipas OBSh-së.

Kjo vaksinë përdoret në pothuajse 20 vende.

Vaksina mbron vetëm ata që janë infektuar me dengë një herë dhe nevojiten tri doza.

Efektiviteti i kësaj vaksine kundër katër llojeve të virusit të dengës është mesatarisht rreth 65 për qind.

Sipas vlerësimeve, vdekjet nga denga variojnë nga 40.000 deri në 70.000 në vit, tha zyrtari i OBSh-së, duke shtuar se shumë vende ende nuk i raportojnë ato si të tilla.

“Norma e vdekjeve është rreth një për qind në shumicën e vendeve dhe ne shpresojmë ta ulim edhe më shumë”, tha ai.

TRT Balkan / agjencitë