Në qytetin e Tiranës është duke u zhvilluar forumi për shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve, me fokus diskutimet mbi përfshirjen e të rinjve në vendimet e politikave që ndikojnë në shëndetin dhe të ardhmen e tyre.
Në konferencën për mediat mbi forumin, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, theksoi se forumi është një mundësi fantastike për të bërë bashkë të rinjtë.
"Jam e kënaqur që janë më shumë se 150 të rinj nga më shumë se 40 vende të botës që i janë bashkuar për herë të parë këtij forumi dhe janë në vendin tonë për të diskutuar mbi të gjithë ato shqetësime që kanë të rinjtë në lidhje me shëndetin dhe mirëqenien dhe adresimin e këtyre shqetësimeve në politikat e qeverive të vendeve të tyre", tha Manastirliu.
Manastirliu u shpreh se qëllimi i këtij forumi është krijimi i një platforme dialogu dhe një rrjeti komunikimi mes të rinjve të të gjitha vendeve, sipas saj, për t’u aktivizuar dhe për të influencuar në politikat që synojnë shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve.
Ajo shtoi se fokusi edhe i forumit, por edhe i OBSH-së dhe qeverive është tek shëndeti mendor dhe adresimi i çështjeve që lidhen me problematikat e shëndetit mendor në periudhën e post-pandemisë.
Drejtori i Zyrës së OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, në fjalën e tij tha se ky forum është mbledhja e parë e këtij lloji që organizohet në Tiranë dhe sipas tij zyra e OBSH-së për Evropën ka krijuar një rrjet të fuqishëm për të rinjtë.
"Të rinjtë janë vendimmarrësit e të sotmes dhe prandaj OBSH-ja është e vendosur që të ndihmojë, që të krijojë hapësirën për të rinjtë në mënyrë që ato të përfshihen dhe të marrin role kryesore në formësimin e vendimeve, në përcaktimin e politikave dhe të ligjeve që kanë një impakt në jetën e tyre. Forumi në Tiranë është për të mësuar nga të rinjtë", tha Kluge.
Forumi për shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve po zhvillon punimet e tij në Tiranë nga data 25-27 tetor, ka mbledhur së bashku qindra të rinj nga mbi 40 vende të botës dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile, sipas organizatorëve për t'u angazhuar në dialog dhe për të gjetur mënyra më të mira për të përfshirë të rinjtë në vendimet e politikave që ndikojnë në shëndetin dhe të ardhmen e tyre.
Forumi organizohet nga Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë dhe Bashkinë e Tiranës.
26 Tet 2022
Tirana nikoqire e Forumit për shëndet dhe mirëqenie të të rinjve
Mbi 150 të rinj nga më shumë se 40 vende të botës marrin pjesë në forum.
AA
Lajme të ngjashme
Çfarë dobie shëndetësore kemi nëse ecim 10.000 hapa në ditë?
Përfitime nga ecja kanë edhe ata njerëz të cilën bëjnë më pak se 10 mijë hapa. Kështu, sipas hulumtimit të Universitetit të Sidneit dhe Universiteti të Danimarkës Jugor deri më 3.800 hapa në ditë mund të ulin rrezikun e demencës me 25 për qind.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore