​Kurti në Slloveni, kërkon zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit / Foto: AA

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti mori pjesë në darkën e punës të ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë Robert Golob për liderët e rajonit dhe presidentin e Këshillit të Evropian, Charles Michel.

Nën temën “Solidaritet për Sigurinë Globale” brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, gjatë darkës u diskutua për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe sigurinë.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes. Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që do t’u kërkohen viza për në Bosnjë e Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin”, ka thënë ai.

Kryeministri mirëpriti thirrjet e kryeministrit të Sllovenisë Robert Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian, si dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar respektimin e pakicave dhe njohjen reciproke si parakusht.

Kosova Press