Amsterdami është një nga qytetet kryesore më të favorshme me biçikletat në botë. Kjo do të thotë gjithashtu se qyteti është një vend i lumtur gjuetie për hajdutët, të cilët vjedhin dhjetëra mijëra biçikleta në vit apo një pjesë e konsiderueshme prej rreth 850.000 që posedojnë banorët e Amsterdamit. Ky fakt ngrit disa pyetje. Ku shkojnë të gjitha biçikletat e vjedhura? A dërgohen dhe shiten diku tjetër? A hidhen në kanale? Apo thjesht ripërdoren në qytet nga njerëz të tjerë?
Tani një eksperiment i MIT-it, në bashkëpunim me Institutin e Amsterdamit për Zgjidhjet e Avancuara Metropolitane dhe Universitetin e Teknologjisë Delft, ka gjetur përgjigje duke pajisur një flotë biçikletash të Amsterdamit me gjurmues celularë dhe duke ndjekur vendndodhjen e tyre me kalimin e kohës. Rezulton se, të paktën në Amsterdam, shumica e biçikletave të vjedhura mbeten në zonën lokale. Një sasi e konsiderueshme duket se rishitet, që do të thotë se shumica thjesht vazhdojnë të qarkullojnë në flotën e biçikletave të qytetit, në një mënyrë ose në një tjetër.
“Ne menduam se biçikletat mund të vidheshin dhe të dërgoheshin jashtë vendit. Ne zbuluam se ato përdoren në të njëjtat lokacione. Nëse ato vidhen dhe shiten, pronari i ri përdor biçikletën në të njëjtat zona, ndoshta pa e ditur se është vjedhur. Ka kaq shumë biçikleta në Amsterdam, me siguri nuk do ta dini kurrë se cila ishte juaja”, deklaroi Fabio Duarte, shkencëtari kryesor i kërkimit në Laboratorin Senseable City të MIT-it dhe bashkautor i një punimi të ri që detajon rezultatet e eksperimentit.
Numri i biçikletave të vjedhura për një vit në Amsterdam?
Vitet e fundit, rreth 11.000 biçikleta janë raportuar të vjedhura në Amsterdam në vit. Qyteti vlerëson se numri total i vjedhur është më i lartë, rreth 28.500 në vit. Përfaqësuesit e çiklizmit sugjerojnë se numri mund të jetë edhe më i lartë, rreth 80.000 në vit. Cilido qoftë vlerësimi i duhur, vjedhja e biçikletës është një rrezik për dizajnin urban miqësor.
Si u aplikua metoda e studimit?
Për të kryer studimin, me miratimin e zyrtarëve komunalë, studiuesit vendosën pajisje gjurmuese me kosto të ulët në 100 biçikleta të përdorura në Amsterdam, i mbyllën në vende publike dhe i gjurmuan nga fillimi i qershorit 2021 deri në fund të nëntorit 2021.
Gjatë asaj periudhe kohore, 70 nga biçikletat u vodhën - një normë që është më e lartë se mesatarja e vlerësuar e Amsterdamit, ndoshta sepse ato mbaheshin tërësisht në vende publike.
Ekipi hulumtues gjithashtu hartoi lëvizjen e biçikletave. Nga 70 biçikletat e vjedhura, 68 mbetën në zonën lokale të Amsterdamit.
Ndërmjet tre dhe gjashtë prej tyre kaluan mjaft kohë në afërsi të dyqaneve të biçikletave të përdorura, saqë studiuesit arritën në përfundimin se ato ndoshta ishin shitur atje. Dymbëdhjetë biçikleta të tjera u dërguan në vende të identifikuara si vende ku dihet se biçikletat shiten ilegalisht, në tregun e zi të biçikletave.
Studiuesit zbuluan se ende 22 nga biçikletat e tjera bënin lëvizje aq të ngjashme sa që dukej se ishin pjesë e të njëjtit "nënrrjet" të biçikletave.
Ndërsa eksperimenti nuk dha përgjigje për çdo biçikletë dhe nuk u përdor për të ndjekur çështje penale, ekipi hulumtues vëren se ai dha informacion të vlefshëm për natyrën e problemit të vjedhjes së biçikletave në Amsterdam.
Rezultatet e hulumtimit janë ndarë me zyrtarët e Amsterdamit që punojnë për vjedhjen e biçikletave në qytet, të cilët mund të përdorin njohuritë për të ndihmuar komunën të adresojë më tej problemin.
Hulumtimi nuk ishte i lidhur me programet që policia holandeze përdor tashmë për të kapur hajdutët e biçikletave; në të vërtetë, për të ruajtur privatësinë, sapo studiuesit panë modele të qarta në lëvizjen e një biçiklete, duke sugjeruar se biçikleta ishte në përdorim të rregullt nga dikush që mund të mos e dinte se ishte grabitur, ekipi ndaloi mbledhjen e të dhënave.
Studiuesit vërejnë se eksperimenti ofron aplikime të mundshme përtej qëllimit të vjedhjes së biçikletave, duke përfshirë projektet e gjurmimit të mbetjeve që ka ndërmarrë Senseable City Lab që mund të gjurmojnë në mënyrë të ngjashme lloje të tjera mallrash të cenueshme ndaj vjedhjes.