Për këtë studim janë marrë për bazë mbi 1 mijë të rritur amerikanë në moshën mes 18 dhe 30 vjeç, dhe rezultatet e tyre janë ndjekur për 6 muaj.     Foto: AA

Depresioni është në nivele epidemike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në botë. Një studim së fundmi nga “Journal of Affective Disorders Reports” erdhi në përfundim se njerëzit që përdorin rrjetet sociale janë tri herë më të prirur për të rënë në depresion në 6 muajt e ardhshëm, krahasuar me njerëzit që përdorin më pak rrjetet sociale.
“Për shembull, sasia e madhe e kohës që kalohet në rrjetet sociale mund të zëvendësojë kontaktet njerëzore me prezencë, që janë shumë më të vlefshme. Rrjetet sociale gjithashtu mund të inkurajojnë krahasime sociale problematike”, thuhet në gjetjet e studimit.
Për këtë studim janë marrë për bazë mbi 1 mijë të rritur amerikanë në moshën mes 18 dhe 30 vjeç, dhe rezultatet e tyre janë ndjekur për 6 muaj. Personat që raportuan përdorim të rrjeteve sociale më shumë orë gjatë ditës rezultuan të jenë grupi që kishte më shumë probleme me depresionin në 6 muajt e ardhshëm.
“Mjedisi i medieve sociale mund të rrisë keqkomunikimin duke rezultuar në vështirësi në mbajtjen e marrëdhënieve njerëzore dhe rrezik për zhvillimin e problemeve shëndetësore mendore”, thuhet në studimin e publikuar nga Journal of Affective Disorders Reports.
Përdorimi i rrjeteve sociale ndikon të gjitha llojet e personalitetit
Studimi konstaton gjithashtu se përdorimi i rrjeteve sociale ishte faktor edhe më i rëndësishëm se çfarëdo tipari i personalitetit, në zhvillimin ose jo të depresionit, edhe pse paraprakisht mendohej vuajtja e kësaj sëmundjeje varet ngushtë nga personaliteti.
“Interaksioni mes tipareve të personalitetit dhe përdorimit të medieve sociale ishte i shpërfillshëm, që jep indikacion se ndikimi i përdorimit të medieve sociale në zhvillimin e depresionit nuk dallon shumë mes njerëzve me tipare të ndryshme personaliteti”.
Fakte për depresionin
Depresioni është çrregullim shumë i përhapur. Vlerësohet se në nivel global, 5% e të rriturve preken nga depresioni.
Depresioni është shkaktari më i madh për shkaktimin e paaftësisë për punë në botë.
Gratë preken më shumë nga depresioni sesa burrat.
Depresioni mund të çojë në vetëvrasje.
Ka trajtime efektive dhe shërim për depresionin, qoftë atë që shfaqet në masë të butë, të mesme ose të rëndë.

TRT Balkan