Izraeli ka shpallur "gjendjen e gatishmërisë" për luftë pasi grupi palestinez në pushtet Hamas filloi një operacion të paprecedentë ushtarak kundër Izraelit, duke u infiltruar nga deti, toka dhe ajri në zonat e banuara izraelite dhe duke lëshuar mijëra raketa.
Të shtunën në mëngjes, dhjetëra luftëtarë palestinezë bastisën bazat izraelite në rajon, duke zënë në befasi aparatin izraelit të sigurisë.
Radio izraelite tha se luftëtarët e Hamasit kanë zënë robër 35 izraelitë.
Udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, shpalli fillimin e operacionit të quajtur “Stuhia e Al-Aksas".
“Sot populli po rifiton revolucionin e tij”, tha ai në mesazhin e regjistruar, ndërsa u bëri thirrje palestinezëve nga Kudsi lindor deri në Izraelin verior që të bashkohen me luftën dhe të “përzënë pushtuesit dhe të rrënojnë muret”.
"Ne duhet t'i vëmë zjarrin tokës nën këmbët e pushtuesve," tha ai, duke pretenduar se Hamasi kishte lëshuar mbi 5.000 raketa në Izrael.
Hamasi pretendon se në kuadër të operacionit "Stuhia e Aksa-së" të filluar nga krahu i armatosur Brigadat Izzeddin Kassam, janë marrë nën kontroll pika kufitare e Izraelit Kerem Abu Salim dhe pikat ushtarake përreth saj në lindje të Rripit të Gazës.
Sulmi vjen pasi një palestinez u vra gjatë përleshjeve me kolonët e paligjshëm izraelitë në qytetin e pushtuar të Bregut Perëndimor të Huwara, ku dhuna e ripërtërirë nga kolonët gjatë funeralit të tij la nëntë të tjerë të shtruar në spital.
Sulmi me raketa nga enklava e rrethuar palestineze u nis nga shumë vende duke filluar nga ora 06:30 e mëngjesit dhe vazhdoi për gati gjysmë ore, raportoi një gazetar i AFP-së.
Ushtria izraelite lëshoi sirenat në gjithë jugun e vendit, ndërsa policia i kërkoi popullatës të qëndronte pranë strehimoreve të bombave. Shpërthime mund të dëgjoheshin në qytetet përreth Tel Avivit dhe jashtë Kudsit të pushtuar.
Izraeli ka vendosur një bllokadë gjymtuese në Gaza që nga viti 2007. Luftëtarët palestinezë dhe ushtria izraelite kanë luftuar disa luftëra shkatërruese që atëherë.
Bllokada, e cila kufizon lëvizjen e njerëzve dhe mallrave brenda dhe jashtë Gazës, ka shkatërruar ekonominë e territorit. Palestinezët thonë se mbyllja përbën dënim kolektiv.
Izraeli përgjigjet me sulme në Gaza
Izraeli nis "Operacionin Shpatat e Hekurta" në Gazën e rrethuar në përgjigje të sulmit të papritur të Hamasit, ndërsa Tel Avivi zotohet të "fitojë luftën" kundër grupit të rezistencës palestineze.