Rritet në 974 numri i palestinezëve që janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria palestineze e Shëndetësisë jepen informacione lidhur me jetët e humbura dhe të plagosurit në rajonin e mbipopulluar, i cili është nën shënjestër të ushtrisë izraelite.
Në deklaratë theksohet se 974 persona kanë humbur jetën dhe 5 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë në Gaza që nga 7 tetori.
Të shtunën, Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, duke lëshuar një breshëri raketash dhe duke depërtuar në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Grupi tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të sulmit ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite në hakmarrje nisi një operacion kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Sipas autoriteteve izraelite, numri i të vdekurve izraelitë është rritur në 1.200 persona.
OKB: Mbi 260.000 palestinezë janë zhvendosur për shkak të sulmeve ajrore izraelite në Gaza
Në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, më shumë se 260.000 palestinezë janë zhvendosur, tha zyra humanitare e OKB-së.
“Mbi 263.934 njerëz në Gaza besohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre”, tha Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Ka shqetësime se numri i palestinezëve të zhvendosur në Gaza do të rritet për shkak të sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite dhe sulmeve me raketa të Hamasit.
Situata u përshkallëzua në Rripin e Gazës pasi grupi palestinez Hamas sulmoi qytetet izraelite pranë territorit bregdetar. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme masive ajrore në Gaza dhe e vendosi enklavën nën një bllokadë totale.
Rreth 2.100 njerëz kanë vdekur nga dhuna deri më tani, duke përfshirë të paktën 900 palestinezë dhe 1.200 izraelitë.
Izraeli gjithashtu ka ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar situatën tashmë të rëndë humanitare në ato zona.
Rripi i Gazës, shtëpia e afro 2,2 milionë njerëzve, ka qenë nën një bllokadë izraelite që nga viti 2007.
Ndërkohë, Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinë (UNRWA) tha të martën vonë se më shumë se 175.000 njerëz në Gaza ishin strehuar në 88 shkolla të saj.
Agjencia thotë se numrat po rriten për shkak të sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite.