A po i kthen metaversi syzet smart nga harresa?     Foto: TRT Balkan

Eyewear (ajver), por të mos ngatërrhohen me termin për delikatesën e famshme ballkanike, mund të jenë trendi i ri i madh teknologjik. Pyetja është nëse konsumatorët janë vërtet “të uritur” për pajisje që do t’u duhet t’i mbajnë vazhdimisht në kokë.

Mbi 250 milionë euro janë shpenzuar në vitin 2021 për syze inteligjente. Shuma nuk është aspak mbresëlënëse, krahasuar me vlerën e çdo pajisjeje tjetër teknologjike, por shitjet pritet të rriten dhe të arrijnë mbi një miliard deri në vitin 2027.

Kthimi i syzeve inteligjente nga harresa do të jetë i lidhur ngushtë me lançimin e metaversit, hapësirës së re dixhitale ku përdoruesit do të lidhen përmes avatarëve virtualë.

Dhe këtu është ndoshta përgjigjja e pyetjes nëse përdoruesit do të jenë “të uritur për eyewear”. Syzet inteligjente si pajisje më praktike dhe më të thjeshta do të ishin zgjidhje më e mirë se syzet e mëdha të realitetit virtual, të cilat janë të rënda, jo ideale për përdorim afatgjatë më shumë se disa orë në ditë dhe mjaft të shtrenjta për shkak të harduerit të avancuar.

Syze inteligjente     Foto: Reuters

Revolucioni i dështuar i Google

Në fillim të dekadës së dytë të këtij shekulli, Google parashikonte një mjedis teknologjik në të cilin të gjithë do të mbanin syze inteligjente për t’u lidhur lehtësisht me internet dhe për të përdorur vegla nga portofoli i Androidit. Por syzet e tyre inteligjente ishin të dizajnuara keq, kushtonin deri në 1.500 dollarë, jetëgjatësia e baterisë ishte vetëm tri orë dhe shumë njerëz u bënë paranojakë që dikush mund t’i fotografonte ose t’i filmonte me kamerën e integruar.

Google Glass u ndaluan shpejt në restorantet në Shtetet e Bashkuara dhe pati disa sulme të klientëve të tyre, kryesisht nga frika e pushtimit të privatësisë. Por Google nuk ka qenë kurrë kompani harduerike dhe pikërisht këtë dobësi planifikojnë ta shfrytëzojnë kompani si Meta dhe Apple.

Ndërkohë, koncepti i një pajisjeje që mbahet në kokë rezultoi i pasuksesshëm edhe me tentativën e Snapchat-it, në atë kohë një prej rrjeteve sociale më të njohura që ishte opsioni kryesor i popullsisë së re.

Syzet e tyre “Spectacles” për “vëzhgim” po ashtu rezultuan si dështim i madh.
Me to, përdoruesit mund të regjistronin video të shkurtra dhe t’i postonin drejtpërdrejt si histori vizuale në rrjetin social, por edhe me dizajnin “shik” dhe çmimin e përballueshëm, nuk ishin aq të avancuara teknologjikisht për të pasur sukses në treg.

Por mbi të gjitha, këto syze dështuan për shkak të përdorueshmërisë së tyre diskutabile. As Google dhe as Snapchat nuk kanë mundur të tregojnë se çfarë problemi apo nevoje e përdoruesve po zgjidhet me syzet inteligjente, të cilat tani me metaversin dhe pajisjet e shquara VR do të jenë një nevojë reale e përdoruesve.

Syze VR     Foto: Reuters

Vetëm për sytë tuaj

Për momentin, metaversi është si një megalopolis i ri që po ndërtohet në mënyrë misterioze, por agresive, edhe pse portat e tij janë të mbyllura për popullatën e përgjithshme. Pothuajse të gjithë gjigantët e teknologjisë do të kenë “lagjen” e tyre, ose thënë më mirë lagjen elitare në metavers, dhe do të ndërtojnë marka të modës dhe të konsumatorëve për të “shitur” më pas produkte apo shërbime virtuale.

Por, për të tërhequr banorë të rinj në metavers, markat do të duhet t’u ofrojnë “transport” adekuat. Metaversi do të mbështetet në përfshirjen e plotë të përdoruesit, që do të thotë se të domosdoshme do të jenë një lloj syze.

Pajisjet VR janë pa dyshim basti më i sigurt mbi atë se si do të zhvillohet industria, por nuk duhen nënvlerësuar syzet teknologjike të avancuara që do të duken identike me syzet standarde, me korniza të lehta dhe xhama të hollë.

Vitet e fundit, gjigantët e teknologjisë kanë shpenzuar së bashku 10 miliardë dollarë në kërkimin e startupeve të vogla që zhvillojnë pajisje të realitetit virtual dhe realitetit të shtuar (AR), që do të thotë se ata po “vënë bast” në mënyrë të sigurt se investimet e tyre do të shpërblehen në të ardhmen. Kjo përfshin Google, e cila ka mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe nuk është gati të heqë dorë fare nga segmenti i eyewear-it.

Por leva më të mëdha në duart e tyre kanë ndoshta Meta me ambiciet e Mark Zuckerberg-ut dhe bashkëpunimin me “Ryban” dhe veçanërisht Apple, e cila që nga “mini iPad”, prej vitesh nuk ka lançuar kategori të re produkti.

Përsosja e dizajnit të harduerit pritet t’i çojë syzet smart në klasën premium me një çmim midis 1.000 dhe 1.500 euro dhe përveç përmirësimit inxhinierik të kornizave dhe xhamave me teknologjinë microLED, pritet një lidhje ideale me ekosistemin softuerik të “Mollës”, që do të nënkuptojë hyrjen zyrtare të kompanisë në metavers.

Syzet inteligjente do të jenë çelësi i një qëndrimi të gjatë në metavers, dhe përjetim i virtuales duke e parë atë përballë me sytë tanë. Me shumë mundësi, kontrolli i përmbajtjes do të bëhet me “shikim”, por edhe me kontrollues të jashtëm, dhe do të jetë e mundur të dilni në rrugë, në punë, në koncert ose të luani videolojëra dhe të ndërveproni si me botën e jashtme, ashtu edhe me atë virtuale.

TRT Balkan