Dita Botërore e Luanëve.     Foto: AA

Mbreti i xhunglës. Kështu përshkruhen shpesh luanët në tregimet e fëmijëve. Luani është një kafshë madhështore që magjeps me fuqinë dhe hirin e tij. Njeriu gjithmonë i ka admiruar luanët, ndaj ata mund të gjenden jo vetëm në natyrë apo në kopshte zoologjike, por edhe si statuja përpara ndërtesave publike në shumë vende, si simbole shtetesh, si logot e kompanive etj.

Por, njeriu edhe pse e admiron dhe e vlerëson, është njëkohësisht armiku më i rrezikshëm për mbijetesën e luanëve. Në Ditën Botërore të Luanëve, 10 Gusht, ju prezantojmë shtatë nga faktet më interesante për luanët që ndoshta nuk i keni ditur, të cilat janë prezantuar nga World Wide Fund for Nature (WWF).

A jetojnë të gjithë luanët në Afrikë?

Në natyrë, ekzistojnë dy nënlloje të luanëve të njohur zyrtarisht. Luani afrikan (Panthera leo leo) mund të gjendet vetëm në Afrikë, veçanërisht në jug të shkretëtirës së Saharasë. Por ekziston edhe një luan i ashtuquajtur aziatik (Panthera leo persica) i cili jeton si një popullsi e vogël rreth Parkut Kombëtar Gir Forest në Indinë perëndimore. Luanët e egër të Afrikës perëndimore dhe qendrore janë më të lidhur me këta luanë aziatikë të Indisë sesa me ata që gjenden në Afrikën jugore dhe lindore.

Kush është më i rëndë - mashkulli apo femra?

Meshkujt peshojnë mesatarisht rreth 190 kilogramë, ndërsa femrat kanë një peshë mesatare prej 126 kilogramë. Kjo peshë u jep atyre fuqinë për të trajtuar gjahun e madh dhe për të mbrojtur krenarinë e tyre.
.
Krifat kanë historinë e tyre

Luanët meshkuj kanë një krifë (tufë flokësh) mbresëlënëse që rriten me kalimin e moshës. Këto krifa rriten deri në 16 centimetra në gjatësi dhe janë një shenjë e dominimit. Sa më të vjetër të rriten, aq më të errëta bëhen krifat e tyre. Përveç tërheqjes së femrave, krifa e tyre gjithashtu mund të mbrojë qafën dhe kokën nga lëndimet gjatë përleshjeve.

Ujin mund ta marrin nga bimët

Luanët janë shumë të përshtatshëm dhe mund të jetojnë në zona shumë të thata si shkretëtira Kalahari. Këtu ata e marrin pjesën më të madhe të ujit nga gjahu, madje edhe nga bimë të tilla si një lloj shalqiri që e hanë.

Deri në 40 kilogramë mish për një ngrënie

Luanët mund të hanë deri në 40 kilogramë mish në një ngrënie, apo rreth një të katërtën e peshës së tyre trupore. Gjuhët e tyre kanë pika të mprehta, të quajtura papilla, të cilat përdoren për të gërvishtur mishin nga kockat.

Bëjnë gjah në stuhi

Luanët e bëjnë pjesën më të madhe të gjuetisë së tyre gjatë natës, sepse sytë e tyre janë përshtatur me errësirën dhe kjo u jep një avantazh të madh mbi gjahun e tyre. Ata gjuajnë më shumë gjatë stuhive, sepse zhurma dhe era e bëjnë më të vështirë viktimën që t'i shohë dhe dëgjojë sulmet e luanëve. Kur gjuajnë, luaneshat kanë role specifike. Disa luajnë rolin e "qendrës" dhe të tjerët rolin e "krahut" - krahët e ndjekin viktimën drejt qendrave.

Nuk kanë mbetur shumë luanë në natyrë

Mendohet se në natyrë kanë mbetur rreth 23 mijë luanë. Kur mendoni se ka rreth 415,000 elefantë të egër afrikanë, kupton se numri i luanëve është tepër i vogël. Në fakt, luanët janë zhdukur nga mbi 90 për qind e gamës së tyre historike, thotë Fondi Botëror për Natyrën (WWF). Numri i luanëve afrikanë mendohet se ka rënë me mbi 40 për qind në vetëm tre breza.

Kërcënimet kryesore janë vrasja parandaluese për të mbrojtur njerëzit dhe bagëtitë, si dhe zvogëlimi i presë natyrore dhe habitateve (për shembull, për shkak të zgjerimit të vendbanimeve njerëzore).

Ndryshimet klimatike janë një tjetër kërcënim në rritje - moti ekstrem mund të shkaktojë më shumë thatësira ose të vonojë rreshjet e shiut, duke ndikuar në prenë e luanëve.

Ata vriten edhe për tregti të paligjshme të kafshëve të egra. Vitet e fundit, kërkesa për kockën e luanit si zëvendësim për kockën e tigrit në mjekësinë tradicionale aziatike është rritur.

TRT Balkan