Turizmi global, i cili me kuptimin e plotë të fjalës ishte klinikisht i vdekur gjatë pandemisë së koronavirusit, tani po tregon shenja ringjalljeje dhe kthimi në nivelet para pandemisë, por jo kudo në mënyrë të barabartë. Në disa nga vendet e Ballkanit këto shifra janë tejkaluar, ndër to janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Me kufijtë e mbyllur, shtetrrethimin dhe kufizimet e rrepta të udhëtimit, turizmi ka qenë një nga sektorët që ka pësuar më shumë dëme nga pandemia Covid-19. Në nivel global, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), vetëm në vitin 2021 dëmi arriti në 2 miliardë dollarë.
Në Ditën Botërore të Turizmit, 27 shtator, Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së (UNWTO) publikoi të dhënat më të fundit se si ka ndikuar pandemia në sektorin e turizmit. Dita Botërore e Turizmit festohet çdo vit që nga viti 1980. Kjo datë shënon përvjetorin e miratimit të Statutit të Organizatës në vitin 1970, duke hapur rrugën për themelimin e UNWTO-së pesë vjet më vonë.
Edhe pse bota ngadalë por me siguri po kthehet në normalitet, dëmi nga pandemia ende po ndihet. Është interesante se disa rajone të botës po kthehen më shpejt në numrin e turistëve nga viti 2019, ndërsa disa rajone të botës janë shumë më ngadalë.
TRT Balkan ju jep një pasqyrë të të dhënave më të fundit të publikuara nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së.
Viti i “kthimit në normalitet”
Mbërritjet e turistëve ndërkombëtarë pothuajse janë trefishuar në periudhën janar-korrik 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit.
Rreth 474 milionë turistë udhëtuan ndërkombëtarisht në shtatë muajt e parë të këtij viti, nga 175 milionë në janar-korrik 2021. E konvertuar në përqindje, kjo është një rritje vjetore prej 175 për qind.
Kështu, turizmi ndërkombëtar është rikuperuar në pothuajse 60 për qind të nivelit të tij para pandemisë falë rritjes së kërkesës për udhëtime ndërkombëtare si dhe lehtësimit të kufizimeve të udhëtimit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Zurab Pololikashvili, theksoi vazhdimin e rimëkëmbjes së qëndrueshme të turizmit, ndërsa vuri në dukje disa sfida të mbetura “gjeopolitike e ekonomike”.
Sipas tij, trafiku ajror ndërkombëtar i pasagjerëve u rrit për 234 për qind në të njëjtën periudhë, por mbeti 45 për qind nën nivelin e vitit 2019.
Evropa priti 309 milionë turistë ndërkombëtarë në periudhën shtatëmujore, duke arritur në 74 për qind të niveleve të vitit 2019.
Kjo është tri herë më shumë ardhje ndërkombëtare në krahasim me periudhën janar-korrik 2021.
Lindja e Mesme tregoi rimëkëmbjen më të shpejtë të ardhjeve ndërkombëtare, duke u kërcyer me 287 për qind në nivel vjetor në atë periudhë të vitit 2022.
Në korrik, numri i tejkaloi nivelet para pandemisë me 3 për qind, i nxitur kryesisht nga haxhilerët që udhëtonin në Arabinë Saudite për të kryer haxhin.
Cilat vende i mbijetuan pandemisë?
Ndër destinacionet që tejkaluan nivelet para pandemisë të turizmit ndërkombëtar në pesë deri në shtatë muajt e parë të këtij viti janë vendet e mëposhtme: Serbia e ka kaluar shifrën e vitit 2019 me 73 për qind, Sudani me 64 për qind, Rumania me 43 për qind, Shqipëria me 32 për qind, Maqedonia e Veriut me 24 për qind, Pakistani me 18 për qind, Türkiye, Banglladeshi dhe Letonia të gjitha me 12 për qind, Meksika dhe Portugalia me 8 për qind, Kenia me 5 për qind dhe Kolumbia me 2 për qind.