Në Kosovë po shënohet 26 Korriku – Dita memoriale e policëve të rënë gjatë detyrës, njëherësh 13-vjetori i rënies së heroit Enver Zymeri.
Para lapidarit me emrat e 23 policëve të rënë, u vendosën kurora lulesh.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet rrjeteve sociale tha se "Enver Zymeri është hero i ligjshmërisë demokratike dhe sovranitetit të Kosovës". Ndërsa ka përkujtuar atë, Kurti ka përmendur se, ndryshe nga 13 vjet më parë, gjendja në terren në veri të vendit "ka ndryshuar rrënjësisht".
"Në përvjetorin e 13-të të rënies së tij, ajo për çka Enver Zymeri u vra, sovraniteti shtetëror dhe tërësia territoriale, sundimi i ligjit dhe rendi publik në veri të vendit, janë në një nivel krejt tjetër. Kjo falë këmbënguljes së institucioneve të Republikës së Kosovës në realizimin e të drejtës së saj dhe angazhimit të paepur e profesional të kolegëve të Enverit, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës", tha Kurti duke shtuar se:
"Rrjetet dikur të shtrira dhe të fuqishme të strukturave të paligjshme dhe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që për vite e kanë terrorizuar dhe mbajtur peng veriun e Kosovës, nuk e kanë më as shtrirjen dhe as forcën e dikurshme. Tani, policët e Kosovës e kontrollojnë veriun e vendit dhe shërbejnë për të gjithë qytetarët pa dallim sikur në çdo pjesë tjetër të Kosovës".
Kurti ka theksuar se nivelin e lartë të Policisë së Kosovës e ka dëshmuar operacioni në Banjskë më 24 shtator 2023 gatë sulmit terrorist të grupit serb. "Me policë trima si Enveri dhe si shokët e kolegët e tij, Kosova do t'i dalë zot gjithë territorit dhe qytetarëve të saj, duke e mbrojtur demokracinë dhe tërësinë e saj", tha ai. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, zëvendëskryeministrat e Kosovës, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla, e cila njëherësh është edhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, ashtu si edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla bënë homazhe te lapidari i policëve të rënë në krye të detyrës, që gjendet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, në Prishtinë.
Në nderim të policëve të rënë në detyrë, sot do të shënohet edhe një aktivitet në veri të vendit, ku do të bëhet garë profesionale e kërcimit nga ura e parë mbi Liqenin e Ujmanit.
Më 26 korrik 2011 ishte vrarë polici Enver Zymeri gjatë një aksioni në veri të vendit, ndërsa më 27 korrik 2021 ishte zbuluar pllaka përkujtimore për 21 heronjtë e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës ndër vite.
Nga atëherë, në krye të detyrës gjatë përballjes me grupin kriminal serb në Banjskë ka rënë edhe rreshteri policor Afrim Bunjaku.