Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka deklaruar se mbështet nismën "Ballkani i Hapur", duke shtuar se rajoni ka nevojë për këtë nismë.
Në një deklaratë për mediat pas ceremonisë së dhënies së titullit "Doctor Honoris Causa" në Tiranë, Kryeministri Abazoviq foli në lidhje me zhvillimet politike në Mal të Zi, nismën "Ballkani i Hapur", sanksionet ndaj Rusisë, ndikimin rus dhe çështje të tjera.
I pyetur mbi situatën e fundit politike në Mal të Zi, Abazoviq tha se në Malin e Zi ishte një konfuzion politik, por sipas tij qeveria pa marrë parasysh se është në mandat teknik punon më mirë se kur ka qenë në mandatin e plotë.
"Jam shumë i sinqertë, shumë më mirë punon, pasi që ato njerëz që nuk e kanë gjetur veten që në fillim aty ndoshta ata kanë bërë gabim. Ne kemi ofruar modelin i cili mundet të jetë produktiv për Malin e Zi dhe unë jam shumë krenar me arritjet të cilat janë bërë në tetë muajt e fundit në Qeverinë e Malit të Zi. Kemi zgjedhje presidenciale dhe do të shikojmë si do të kalojë presidenti aktual", tha ai.
Në lidhje me nismën "Ballkani i Hapur", Abazoviq tha se në Mal të Zi gjenden dy grupacione mjaft të mëdha, një që është në pro dhe tjetri i cili nuk është dakord.
"Unë jam ai që jam për idenë e Ballkanit të Hapur, jam shumë transparent lidhur me atë çështje. Mendoj se rajoni ka nevojë dhe kjo është shumë gjë e thjeshtë për t'u kuptuar. Ne jemi në Procesin e Berlinit, jemi dhe në iniciativa të tjera njësoj si Shqipëria, dhe nuk shoh asnjë problem që të kemi edhe një iniciativë ku Mali i Zi do të kishte marrë pjesë", u shpreh ai.
Sa u përket pretendimeve të mediave "për thyerjen embargos së ShBA-së dhe BE-së kundër Rusisë, duke u lejuar tregtia mes Serbisë dhe Rusisë", Abazoviq tha se absolutisht nuk është e vërtetë.
“Në Mal të Zi përditë ka sulme ndaj meje. Mali i Zi e ka 100 për qind të plotësuar politikën e jashtme me politikën e Bashkimit Evropian. Çdo sanksion që është vendosur ndaj Rusisë në Bruksel i është vendosur edhe në Podgoricë dhe kjo rri në fuqi", tha Abazoviq.
Abazoviq vizitoi Shqipërinë në kuadër të vlerësimit të tij me titullin "Doctor Honoris Causa" nga një universitet privat dhe promovimit të librit të tij "Kritika e etikës globale", ku të pranishëm në ceremoni ishin edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, zyrtarë të tjerë dhe studiues.