Ndotja e ajrit me grimca të imëta mbetet kërcënimi më i madh i jashtëm për shëndetin publik. Këtë së fundmi e ka konstatuar raporti i Indeksit të Jetës së Cilësisë së Ajrit nga Instituti i Politikave të Energjisë në Universitetin e Çikagos (EPIC).
Grimcat e imëta të cilat vijnë nga emetimet e automjeteve industriale dhe zjarret janë të lidhura me sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe kancerin.
Nëse bota do t'i reduktonte përgjithmonë këta ndotës për të përmbushur kufirin udhëzues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), personi mesatar do t'i shtonte 2,3 vjet jetëgjatësisë së tij ose të saj.
Ndikimi global i shëndetit nga ndotja e ajrit
Ndotja e ajrit përbën rrezikun më të madh për shëndetin global.
Ndotja e ajrit është më e rrezikshme për shëndetin e një personi mesatar në planetin Tokë sesa duhani ose alkooli.
Duke ulur jetëgjatësinë globale me 2,3 vjet me ekspozim të vazhdueshëm, ajo tejkalon ndikimin e pirjes së duhanit (2,2 vjet) dhe alkoolit (7,2 muaj) në shëndetin e njeriut.
Nga ndotja e ajrit më së shumti ndikohen vendet e Azisë Jugore të cilët si pasojë jetëgjatësia mesatare në vendet si Banglladeshi, India, Nepali dhe Pakistani është shkurtuar për pesë vjet.
Fëmijët viktimat më të mëdha
Fëmijët janë më të prekshëm nga ndotja e ajrit sepse ata marrin frymë dy herë më shpejt dhe shpesh nga goja dhe më afër tokës, ku janë të përqendruar ndotësit.
Nga ajo që njofton Fondi i OKB-së për fëmijë më shumë se 90 foshnja vdesin çdo javë si pasojë e shkaqeve të lidhura me ndotjen e ajrit në Evropë dhe Azinë Qendrore. Rreziqet përfshijnë dëmtimin afatgjatë të mushkërive, astmën, sëmundjet kronike të frymëmarrjes e kardiovaskulare dhe kancerin.
Kryeqendrat e Ballkanit më të ndotura gjatë dimrit
Kujtojmë se periudhën e fundit kryeqendrat e Ballkanit Perëndimor si çdo dimër të zakonshëm edhe gjatë vitit të kaluar kryesonin listat e qyteteve më të ndotura në botë. Shkupi, Sarajeva, Prishtina dhe Beogradi ishin ndër qytetet më të ndotura në botë në fund të dhjetorit dhe fillim të janarit, ndërsa kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut kryesoi listën botërore për ajrin e ndotur për një periudhë.
Cilësia e ajrit konsiderohet si faktor i rëndësishëm për shëndetin e përgjithshëm të njerëzve. Statistikat tregojnë se ndotja paraqitet si faktor për 6 deri në 10 nga 100 vdekje në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndikimi i ndotjes së ajrit te bimët
Sipas Qendrës së Mbretërisë së Bashkuar për Ekologji dhe Hidrologji ndotja e ajrit prish pllenimin duke ndryshuar aromën e luleve, duke e bërë të vështirë për bletët gjetjen e tyre. Ozoni i nivelit të tokës, një komponent i ndotjes së ajrit, redukton aftësinë e bletëve për të njohur aromat deri në 90%.