Aksione në Maqedoni të Veriut e Serbi, arrestohen falsifikues eurosh                                                                Foto: AA

Policia ka bastisur dhe arrestuar 10 persona në Maqedoninë e Veriut dhe gjashtë persona në Serbi, si pjesë e një aksioni të koordinuar mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, EUROPOL-it dhe EUROJUSTICE. Siç njoftoi Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut, 23 urdhra kontrolli për persona dhe banesa janë ekzekutuar në vend, ndërsa u sekuestruan një shumë e madhe parash dhe mjete falsifikimi.

“Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan para në vlerë prej rreth 500.000 euro, 25.000 dollarë amerikanë, 500 franga zvicerane, 1.800 shekelë izraelite, 500 kruna kroate, 10.000 lekë shqiptare, 1.000 kruna suedeze dhe 25.000 rubla”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Gjithashtu, sipas njoftimit, u gjetën rula të nxehta, presa, një makinë CNC për të bërë kallëpe dhe pulla të përdorura për të bërë para të falsifikuara, kopje të pjesëve të kartëmonedhave, një armë, plumba, qese me lëndë pluhuri të bardhë dhe kafe, telefona, karta SIM, USB dhe një detektor për kartëmonedha të falsifikuara, hologramë, numërues parash, sende të tjera për falsifikimin e parave dhe laptopë që do t'i nënshtrohen ekspertizës.

Njëkohësisht, në Serbi janë kryer kontrolle në Novi Pazar, Novi Sad, Sombor dhe Suboticë dhe janë ndaluar gjashtë anëtarë të grupit kriminal, si dhe janë sekuestruar 180.000 kartëmonedha euro të falsifikuara.

Operacioni lidhet me aksionin e gushtit të kaluar, të kryer nga Prokuroria Publike Shkup dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, kur u gjetën dhe u sekuestruan makina për falsifikimin e monedhave euro, monedhave të gatshme dhe gjysmë të gatshme të falsifikuara, kallëpe dhe materiale të nevojshme për prodhimin e monedhave, si dhe u arrestua një person shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili i ka prodhuar dhe hedhur në qarkullim.

TRT Balkan