Albin Kurti takoi lidershipin e Shqipërisë në Tiranë / Photo: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka realizuar një vizitë pune në Shqipëri, ndërkohë është takuar me zyrtarë të lartë të vendit, si me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Në një njoftim të Presidencës së Shqipërisë thuhet se presidenti Begaj priti sot kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

"Presidenti Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipin negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë", thuhet në njoftim.

Më tej, theksohet se, duke u ndalur te rezultati i takimit të Ohrit, më 18 mars 2023, presidenti Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij "është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian".

"Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht", theksohet në njoftim.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama në lidhje me takimin me kryeministrin Kurti në rrjetet sociale ka shkruar se diskutuan me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.

“I shpreha Albinit gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”.

Kryeministri i Shqipërisë ka shtuar se ranë dakord që mbledhja e ardhshme e dy qeverive të mbahet në qershor.

Ndërkaq, në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë theksohet se kryetarja Nikolla e përgëzoi kryeministrin Kurti për "punët e mira që po bën Qeveria e Kosovës si edhe durimin, qetësinë, maturinë dhe qëndrimet e guximshme në bashkëpunimin me BE-në dhe ShBA për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës".

“Kuvendi nxit e mbështet bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat. Ne mbështesim perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare. Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve, vlerësojmë planin evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe ShBA-së në zbatimin e aneksit të këtij plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euro-atlantike”, u shpreh kryetarja Nikolla.

Sipas njoftimit, në takimin me kryeparlamentaren Nikolla, kryeministri Kurti vuri në dukje vendosmërinë e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e Planit Evropian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe ShBA-në.

TRT Balkan / agjencitë