Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e ri të Türkiyes në vend, Sabri Tunç Angılı.
Siç njofton Kuvendi i Kosovës, kryetari Konjufca uroi ambasadorin Angılı për detyrën e re dhe vuri në dukje se marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Türkiyes janë shumë të mira dhe se ato bazohen në miqësi të kahmotshme, partneritet strategjik dhe respekt të ndërsjellë.
Gjithashtu, Konjufca i shprehu ngushëllime ambasadorit për viktimat e tërmeteve që goditën Türkiyen, duke theksuar se "populli i Kosovës qëndron pranë popullit turk në këto ditë të vështira".
Ai vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme që ky vend mik i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë shtetit të Kosovës.
Ambasadori Angılı e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe njëherësh ritheksoi vazhdimin e përkrahjes së Türkiyes për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në NATO, por edhe në institucione dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë.
Konjufca dhe ambasadori Angılı shprehën gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes.