Arkivolet e 14 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë u bartën në Musala / Photo: AA

Të mërkurën në mbrëmje, arkivolet me eshtrat e 14 viktimave të reja të identifikuara të gjenocidit të kryer në verën e vitit 1995 në Srebrenicë, u sollën nga zona e ish-fabrikës së baterive në Potoçar në zonën e Musalas - në varrezat e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës.

Arkivolet me eshtrat e viktimave të Srebrenicës u bartën në duar deri në Musala, nga anëtarët e familjeve të të vrarëve si dhe pjesëmarrësit e "Marshit të Paqes" të cilët arritën në Potoçar në mbrëmje, pas një ecjeje tre-ditore nga Nezuku.

Kolona është formuar nga ish-fabrika e baterive deri në Musala në varrezat e Qendrës Përkujtimore, ku sot do të falet xhenazeja dhe do të bëhet varrimi.

Viktima më e re që do të varroset këtë vit në funeralin kolektiv është Beriz (Omera) Mujiq - shtatëmbëdhjetë vjeç, i lindur në vitin 1978 në Zvornik. Eshtrat e tij u gjetën 28 ​​vjet pas vdekjes së tij, dhe ato u zhvarrosën vetëm vitin e kaluar, në maj 2023. Ai u vra në korrik të vitit 1995 në zonën e Suçeskës. Ai do të varroset pranë vëllait të tij Hazimit, i cili u varros në vitin 2013.

Viktima më e vjetër që do të varroset është Hamed (Ibrahima) Saliq, i lindur në vitin 1927. Ai ishte 68 vjeç kur u zhduk në verën e vitit 1995 në zonën e Zhepës. Eshtrat e tij u zhvarrosën në vendin Slap në Zhepa në maj 2014.

Këtë vit, vëllezërit Efendiq - Hasib dhe Qamil - do të varrosen së bashku. Eshtrat e tyre u zhvarrosën nga varre të ndryshme në zonën e Srebrenicës, Kulës dhe Potoçarit në vitin 2011 dhe 2006. Ata do të gjejnë paqen e tyre të fundit këtë vit me vëllain e tyre të tretë Edhem, i cili u varros në Potoçar në vitin 2007.

Këtë vit, më 11 korrik, në varrezat e Qendrës Përkujtimore Srebrenicë - Potoçar do të varrosen: Hasib (Uzejir) Efendiq, i lindur më 1931, Qamil (Uzejir) Efendiq, i lindur më 1928, Mehmed (Daut) Krdgjiq, i lindur më 1961, Sabrija (Asim) Omiq, i lindur më 1966, Mushan (Ramo) Shiljkoviq, i lindur më 1956, Sakib (Ragib) Harbash, i lindur më 1975, Beriz (Omer) Mujiq, i lindur më 1978, Ahmet (Ismet) Jashareviq, i lindur më 1971, Nevres (Mehmed) Salihoviq, i lindur më 1970, Ibrahim (Muharem) Salkiq, i lindur më 1935, Midhat (Adem) Bashiq, i lindur më 1973, Hajdin (Kadrija) Mustafiq, i lindur më 1959 Latif (Arif) Mandgjiq, i lindur më 1964 dhe Hamed (Ibrahim) Saliq, i lindur më 1927.

Në Qendrën Përkujtimore në Tuzla gjenden eshtrat e 11 viktimave të gjenocidit të cilët janë identifikuar deri më tani me metodën e ADN-së, por familjet ende nuk kanë dhënë pëlqimin për varrim, kryesisht për shkak të paplotësisë së kufomave.

Qendra Përkujtimore e Potoçarit u hap zyrtarisht më 20 shtator 2003, nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Deri më tani në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë - Potoçari janë varrosur 6.751 viktima të gjenocidit, ndërsa në varrezat lokale me vendim të familjarëve të mbijetuar janë varrosur 250 viktima.

Viktimat janë nga komuna të ndryshme, shumica prej tyre nga zonat e Srebrenicës, Bratunacit, Vlasenicës, Zvornikut dhe Miliqit. Viktimat e gjenocidit u gjetën në 150 vende të ndryshme, nga të cilat 77 ishin varre masive.

Viktima më e re e varrosur deri më tani në Potoçari ishte një vajzë e porsalindur, Fatima Muhiq, dhe më e vjetra ishte, Shaha Izmirliq, e lindur në vitin 1901.

Më shumë se një mijë viktima të gjenocidit janë ende në kërkim.

TRT Balkan / agjencitë