Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët ka aprovuar kërkesën e avokatit të viktimave për të lejuar tre anëtarë të familjes së një personi të pretenduar si viktimë, të marrin pjesë si viktima pjesëmarrëse në këtë proces gjyqësor.
Kjo është bërë pasi sipas avokatit Simon Laws, personi që kishte pretenduar se është viktimë ka ndërruar jetë së fundmi.
Rrjedhimisht, numri i personave që pretendojnë se janë viktima pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore sipas Gjykatës Speciale në Hagë ka arritur në 143.
Seancat gjyqësore në këtë proces vazhdojnë të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.