Në organizimin e Unionit Kombëtar Boshnjak në Shkup u mbajt një panel diskutimi, tema e të cilit ishte aspektet juridike, politike dhe ndërkombëtare të gjenocidit në Srebrenicë dhe me rastin e bashkësponsorizimit të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara nga Maqedonia e Veriut, shpallja e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare përkujtimore e Gjenocidit në Srebrenicë.
Në panel kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, kryetari i Unionit Kombëtar Boshnjak në Maqedoninë e Veriut, Xhevad Hot, aktivistja Mersiha Smailoviq dhe avokatja Edina Zekiroviq Fazlagiq.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i Unionit Demokratik Boshnjak, Munir Kolasinac - anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Boshnjake, akademiku prof. dr. Fehim Huskoviq, si dhe të rinj të shumtë nga bashkësitë e ndryshme etnike, përfaqësues të sektorit civil joqeveritar në vend.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se është i befasuar nga reagimet pas njoftimit se Republika e Maqedonisë së Veriut ishte në mesin e 17 vendeve që bashkësponsorizuan Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare përkujtimore të Gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995.
Mbi të gjitha, tha ai, është i befasuar nga njerëzit që mendojnë se kjo ndikon në marrëdhëniet me Serbinë, duke theksuar se është "detyrë universale njerëzore të dënohet çdo formë gjenocidi, pavarësisht se kush janë autorët".
“Nuk kam pritur reagime, madje jam paksa i tronditur nga reagimet e disa qytetarëve që mendoj se janë të inkurajuar nga parti të caktuara politike”, tha Osmani.
“Ne nuk duhet të reagojmë për këtë temë sepse kjo çështje është pjesë e mohimit të gjenocidit dhe është rreptësisht e ndaluar... Ka një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që i shpalli ngjarjet në Srebrenicë gjenocid dhe ato vendime gjyqësore nuk mund të jenë për t'u komentuar, as për t'u interpretuar”, tha Osmani.
Ai kujtoi se në vitin 2010 parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi një deklaratë në mbështetje të rezolutës evropiane për shpalljen e gjenocidit në Srebrenicë.
“Pra, mendoj se këto reagime dhe interpretime janë për të ardhur keq, sepse nuk kam dyshim ndonjë qytetar në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk do ta dënonte vrasjen në një ditë të mbi 8.000 civilëve – fëmijëve, të rriturve, të cilët u shfarosën, edhe pse me vendim të Këshillit të Sigurimit ajo zonë ishte shpallur zonë e sigurt”, tha Osmani.
Duke iu përgjigjur pyetjes së mediave se çfarë do të thotë konkretisht bashkësponsorizimi i rezolutës, Osmani u përgjigj se bashkësponsorizimi do të thotë se vendi është pjesë e nismës së propozuar nga Bosnja e Hercegovina dhe se merr pjesë me vendet e tjera bashkësponsorizuese në përpilimin e tekstit të rezolucionit.
Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut në veçanti pritet të jetë bashkësponsor “si një nga promovuesit më të mëdhenj të multietnicitetit dhe diversitetit”.