Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot mbajti një konferencë për media në të cilën informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është bashkësponsorizuese e Rezolutës së OKB-së me titull “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995” dhe në të cilën nga pikat kryesore është vendosja e një dite për përkujtim të gjenocidit në Srebrenicë, më 11 korrik çdo vit.
Rezoluta është me propozimin e BeH-së
Rezoluta u propozua nga Bosnja e Hercegovina, fillimisht e bashkësponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. Ajo do t'i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 17 prill 2024, ndërsa do të votohet më 2 maj 2024.
Ministri Osmani kërkoi mbështetje nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së për rezolutën, duke thënë se Rezoluta duhet të miratohet më 2 maj 2024: “Duke iu referuar Kartës së OKB-së, Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit, duke u kujtuar shteteve përgjegjësinë e tyre për të mbrojtur civilët, si dhe për të respektuar, mbrojtur dhe garantuar të drejtat e njeriut në territorin e tyre, duke iu referuar Vendimit të Këshillit të Sigurimit nr. 819 të datës 16 prill 1993 me të cilin Srebrenica shpallet zonë e sigurt, Rezolutës 827 të 25 majit 1993, në lidhje me themelimin e një gjykate ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi, duke iu referuar vendimeve të Tribunalit, tetë dënimet për krime kundër muslimanëve boshnjakë, Vendimit të 19 prillit 2004 kundër Kërstiqit, 8 qershor 2021 kundër Mlladiqit, 20 mars 2019 kundër Karaxhiqit dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 26 shkurt 2007 për të përcaktuar krimin e Srebrenicës si gjenocid, në vazhdën e 30-vjetorit të gjenocidit, i cili do të përkujtohet në vitin 2025, ku humbën jetën të paktën tetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e dy jetë dhe po aq familje u shkatërruan”.
Çfarë përmban Rezoluta?
Osmani theksoi se kjo Rezolutë u bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që ta dënojnë pa rezerva gjenocidin, t'i ruajnë faktet dhe t'i përhapin ato nëpër sistemin arsimor duke zhvilluar programe të veçanta për përkujtim, rishikim dhe parandalim të të njëjtit; bën thirrje për dënimin e çdo mohimi që gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë; ndëshkim të të gjithë personave që glorifikojnë personat e dënuar për krime lufte; përfundim të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit; që të gjitha vendet të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të krijojë një program të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, me fillimin e aktiviteteve për të shënuar 30-vjetorin e gjenocidit, ndërsa për Rezolutën të informohen të gjitha vendet anëtare, organizatat në sistemin e OKB-së dhe shoqëria civile, akademia dhe të tjerët që të respektojnë Ditën Ndërkombëtare, si dhe aktivitete të veçanta për nder të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.
Sipas njoftimit të MPJ-së së Maqedonisë, deri më tani Rezolutën e kanë përkrahur më shumë se 17 shtete, ndër të cilat Sllovenia, Italia, Lihtenshtajni, Irlanda, Finlanda, Holanda, Shqipëria, Türkiye, Jordania, Malajzia, Kili, Zelanda e Re etj.
Gjenocidi në Srebrenicë Në korrik 1995, njësitë e ushtrisë së atëhershme të Republikës Sërpska nën komandën e të dënuarit të Hagës Ratko Mlladiq kryen gjenocid kundër boshnjakëve në Srebrenicë.
Në gjenocid u vranë 8.372 veta dhe dhjetëra mijëra gra, fëmijë e të moshuar, u internuan ose u detyruan të kërkonin strehim në pyjet përreth, duke kërkuar rrugën për në territorin e lirë.
Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi se ishte kryer gjenocid në Srebrenicë.