Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjKKO) ka vendosur masën “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion.
Në seancën e sotme, GjKKO-ja ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Berisha.
Në një njoftim për mediat, GjKKO-ja ka konfirmuar se në seancën e sotme gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës së SPAK-ut për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj Berishës nga “detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit" në “arrest në shtëpi”.
Sipas gjykatës, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.
Edhe në seancën e sotme nuk ka qenë i pranishëm ish-kryeministri Berisha, i cili është përfaqësuar nga avokatët e tij.
Ndryshe, më 20 tetor 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për Berishën caktoi masën "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", pasi dyshohet sipas autoriteteve për korrupsion.