Presidenti i Azerbejxhanit, Ilham Aliyev, po qëndron sot për vizitë zyrtare në Tiranë, që është vizita e parë e një presidenti të Azerbejxhanit në Shqipëri. Në takimin me homologun shqiptar Bajram Begaj është folur për bashkëpunimin mes të dy vendeve në sektorët e energjisë, ekonomisë dhe turizmit. Shqipëria është vend tranzit i gazit azerbejxhanas përmes gazsjellësit TAP, ndërsa Aliyev konfirmoi gatishmërinë e vendit të tij për të investuar në infrastrukturën e gazit në Shqipëri.
“Lidhur me infrastrukturën e gazit, vendi ynë kërkon të ndihmojë për zhvillimin e saj në Shqipëri. Kemi folur për këto alternativa. Ka shumë ide, deri më tani, nuk ka pasur një infrastrukturë të mirë zhvilluar në Shqipëri. Azerbajxhani mund të marrë pjesë si investues në këtë fushë. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Sot kjo çështje dhe çështje të tjera që lidhen me energjinë do të diskutohen sërish e sërish”, u shpreh Aliyev.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj tha se ndihma e Azerbejxhanit në sektorin energjetik është e mirëseardhur, si me investime ashtu edhe me përgatitjen e kapaciteteve njerëzore.
“Në kuadër të bashkëpunimit me BE-në, Shqipëria dhe të gjitha vendet e Ballkanit duhet të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe kapacitetet e nevojshme deri në vitin 2030. Kështu, procesi i gazifikimit të Shqipërisë hap mundësi të reja bashkëpunimi. Ne mirëpresim ndihmën nga pala azerbajxhanase për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme njerëzore dhe besojmë se kompanitë nga Azerbajxhani do të shfrytëzojnë hapësirat për bashkëpunim në këtë sektor, – në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, u shpreh Begaj.
Presidenti Begaj gjithashtu ka kërkuar nga Azerbejxhani përkrahje edhe për Kosovën dhe nismat e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Presidenti i Azerbejxhanit nga ana tjetër falënderoi Shqipërinë për përkrahjen e integritetit territorial të Azerbejxhanit, në kontekstin e konfliktit në Nagorno Karabakh.
Duke iu drejtuar presidentit Begaj, Aliyev tha se "Ju e thatë që Shqipëria është mbështetëse e integritetit territorial të Azerbajxhanit dhe kjo mbështetje ka qenë gjithmonë e ndërsjellë. Ne e vlerësojmë fort këtë mbështetje, qoftë në fazën e pushtimit, po kështu edhe gjatë fazës së luftës në Karabak".
Lidhur me konfliktin në Karabak, Aliyev tha se si rezultati Luftës së Dytë të Karabakut ishte çlirimi i tokave të të parëve dhe rivendosja e normave të së drejtës ndërkombëtare, duke shtuar se rezolutat e OKB-së nuk janë zbatuar.
Shqipëria dhe Azerbejxhani vitin e ardhshëm shënojnë 3 dekada nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.