Ballkani Perëndimor kundër diskriminimit racor / Foto: AA

Në Samitin e parë të Ballkanit Perëndimor Kundër Diskriminimit Racor është vlerësuar angazhimi i Qeverisë së Kosovës për luftimin e diskriminimit karshi komuniteteve sidomos atij rom, ashkali dhe egjiptian.

Ky Samit mblodhi në Prishtinë përfaqësues nga vendet e rajonit përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, por edhe ambasadorë të huaj në Kosovë. Në panelin e parë të këtij Samiti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu bërë thirrje pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që të kërkojnë pjesëmarrje dhe çlirim, pasi integrimi dhe përfshirja nuk u ofron liri dhe barazi.

“Me këtë rast iu kisha bërë thirrje të gjithë romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve mos u mjaftoni me përfshirje, kërkoni pjesëmarrje se përfshirja nënkupton që ai i cili është lart të përfshin ty që je poshtë. Përfshirja ka hierarki, e pjesëmarrja na bën të barabartë. Gjithashtu, jo vetëm integrim, por çlirim. Sepse të qenit i përjashtuar, të qenit i margjinalizuar është çështje e lirisë, nuk mund të jesh i margjinalizuar edhe i lirë, nuk mund të jesh edhe i përjashtuar edhe i lirë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

BE-ja dhe ShBA-ja përgëzojnë Kosovën

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, u shpreh se Kosova duhet të bëjë përpjekje konkrete karshi paragjykimit, diskriminimit dhe përjashtimit si sfida me të cilat ballafaqohen komunitetet në Kosovë.

Ai ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për miratimin e strategjisë për përmirësimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian deri në vitin 2026.

“Autoritetet e Kosovës dhe shoqëria civile kanë dënuar incidentet e diskriminimit të cilat i kanë përjetuar anëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Nëse këto incidente ndodhin përgjithësisht, duhet të vazhdojë edhe ndërhyrja e qeverisë“, u shpreh ambasadori i BE-së në Kosovë.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se kërkesat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë të arsyeshme, ndërsa theksoi se në nivel institucional duhet të adresohen padrejtësitë. Ai përgëzoi komunën e Prizrenit që e kanë vendosur gjuhën rome si gjuhë zyrtare.

“Në nivel institucional të shoqërisë civile ne të gjithë duhet t’i adresojmë padrejtësitë e vogla dhe të mëdha”, tha ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Hovenier.

Grubi: Marrëveshja e Ohrit ndaloi diskriminimin etnik

Në këtë Samit të parë ballkanik kundër diskriminimit racor, mori pjesë edhe Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili u shpreh se me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese që pasuan, është arritur që në Maqedoninë e Veriut të vihen standardet e respektimit të të gjitha komuniteteve.

“Deri në vitin 2001 diskriminimi etnik ishte kryefjala e elitës politike të komunitetit shumicë dhe metodë për përfitimin e votave ndërmjet mbjelljes së frikës nga tjetri. Me arritjen e marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese, çdo gjë ndryshoi”, u shpreh Grubi.

Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, i cili është organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme.

TRT Balkan / agjencitë