Grupet kriminale që merren me trafikimin e drogës në Ballkanin Perëndimor po bëhen gjithnjë e më të organizuara, thotë raporti i fundit i Qendrës Evropiane të Monitorimit të Drogës dhe Varësisë. Raporti konstaton se Ballkani Perëndimor është një udhëkryq i rëndësishëm global i trafikimit të drogës.
Pozita gjeografike i mundëson të jetë një pikë kyçe për disa ruta ndërkombëtare, edhe për kokainën që vjen nga Amerika e Jugut, por edhe për heroinën që vjen nga Azia.
Rrënjët e ballkanasve, nga Amerika e Jugut deri në BE
Raporti konstaton se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor kanë zgjeruar ndikimin dhe kanë shtrirë rrjetin në gjithë zinxhirin e furnizimit të drogës, me njerëz që kontrollojnë dërgesat edhe nga Amerika e Jugut.
“Disa rrjete kriminale duket se janë përfshirë në gjithë zinxhirin e furnizimit, që nga prodhimi në Amerikën e Jugut e deri te importi në BE. Kërkesa e madhe për drogë në BE dhe profitet e larta duket të jenë faktorët kryesorë për këto zhvillime dhe inkurajojnë grupet kriminele të Ballkanit Perëndimor të përfshihen në më shumë aspekte të zinxhirit të furnizimit të drogave ilegale”, thuhet në raport.
Gjithashtu konstatohet se grupet kriminale nga Ballkani përdorin teknologji të sofistikuara për të anashkaluar ligjin.
“Rrjetet kriminale kanë adoptuar komunikime të koduara dhe mund të përdorin tregjet online dhe kriptovalutat për të evituar masat e organeve të rendit. Kjo nënkupton se tregu i drogës në rajon po bëhet gjithnjë e më i aftë në aspektin digjital, dhe se inovacionet teknologjike po japin benefite për rrjetet kriminale të përfshira në prodhimin apo kontrabandimin e drogës dhe largjen e parave”.
Korrupsioni i qeverive – shtytje për narkotrafikantët
Raporti i BE-së gjithashtu përmend se prania e korrupsionit në nivele të larta në shtetet e Ballkanit Perëndimor po i ndihmon grupet kriminale që merren me trafikimin e drogës.
“Ambienti i brendshëm në rajon, sidomos që ka të bëjë me korrupsionin, gjithashtu shërben si ndihmës për rrënjosjen dhe zgjerimin e grupeve kriminale të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në raport.
Theksohet edhe fakti se megjithëse në portet e ballkanit po kapen sasi të konsiderueshme të drogës, megjithatë efikasiteti është më i dobët krahasuar me portet në Bashkimin Evropian.
Qendra Evropiane e Monitorimit të Drogës dhe Varësisë nënvizon shqetësimet për rritjen e dhunës në përleshjet mes grupeve kriminale. Theksohet se lufta e tyre për dominim të tregut dhe kontrollim të rutave të trafikimit po përkthehet në dhunë dhe vrasje, si në rajon ashtu edhe në BE.
Në raport thuhet se grupet kriminale që merren me trafikimin e drogës në Ballkanin Perëndimor, njëkohësisht merren edhe me punë të tjera të paligjshme, si trafikimi i armëve, trafikimi i qenieve njerëzore dhe shpërlarja e parave.