Siguria në komunikacion nuk varet vetëm nga pakujdesia e shoferëve gjatë drejtimit të automjeteve, sakaq nga pakujdesia e tyre në mbikqyrjen dhe kontrollimin e rregullt të mjetit vozitës tek mekaniku.
Nga analizat e realizuara në vendet e ndryshme të Ballkanit mund të konstatohet se trafiku në Ballkan vlon prej automjeteve të vjetra, të paregjistruara dhe me defekte.
1/3 e automjeteve nuk e kalojnë kontrollin teknik në Shqipëri
Statistikat e fundit në Shqipëri njoftojnë se një në tre mjete nuk kalon dot kontrollin teknik për shkak të defekteve në sistemet e frenimit, drejtimit, shkarkimit të gazrave, etj.
Dështimi në kontroll teknik i pamundëson shoferët që të regjistrojnë automjetet e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), informoi se gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti janë paraqitur për testim mbi kontrollin teknik 205 355 mjete, nga të cilat 61 993 ose 30.2% e totalit te mjeteve nuk e kanë kaluar.
“1 në 3 mjete rrugore nuk kalojnë testin e kontrollit teknik.
Arsyet e kësaj gjendjeje lidhen fatkeqësisht edhe me të shkuarën e hidhur të shërbimit, kur kontrolli i duhur mungoi e i dha kurajo papërgjegjshmërisë. Por kohët kanë ndryshuar dhe situata të tilla nuk do të tolerohen më kurrë”, bën të ditur DPSHTRR.
20 për qind të automjeteve të Kroacisë me defekte
Në Kroaci nga viti 2021, mund të konstatohet se 19,74 për qind e automjeteve nuk e kanë kaluar kontrollin teknik në tentativën e parë.
Sipas të dhënave nga Qendra Kroate e Automjeteve nga 2.271.201 automjete të kontrolluara, 448.386 kanë qenë me defekt.
Në vitin 2020, kjo përqindje ishte 20,33, dhe një vit më parë ishte 21,92.
Në Serbi 50 për qind e automjeteve rrezikojnë qarkullimin në trafik
Sipas statistikave të vitit 2020 në Serbi gjithsej janë regjistruar 2.2 milion automjete, prej të cilave 1.9 milionë janë automjete pasagjerësh, dhe 1.7 milionë me motorë Euro 3 apo Euro 4.
Me këto standarde të automjeteve dhe me rregulloret e reja të cilat paralajmëron Serbia kundër ndotjes së ambientit, realisht më shumë se gjysma, gjegjësisht 1.2 milionë automjete nuk do të kalojnë dot kontrollet teknike.
Ndryshe në Serbi vjetërsia mesatare e automjeteve është 17 vjet, që nënkupton se në qarkullim ka automjete më të vjetra se 30 vjet.
Kosova me “shkop magjik” eliminon veturat e paregjistruara
Kosova e ka zbuluar “shkopin magjik” sa i përket progresit në regjistrimin e automjeteve.
Përmes një postimi në Facebook, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka theksuar se vetëm brenda 3 muaj numri i automjeteve të paregjistruara është ulur nga 35 në 5 për qind, kështu duke u plotësuar kriteri kryesor për anëtarësim në Byronë e Kartonit të Gjelbër të BE-së.
“Disa hapa të vegjël me suksese tepër të mëdha. Me 15 mars e vendosëm stikersin e parë në vetura. Me masat që i kemi marrë nga 35 për qind të automjeteve të paregjistruara e kemi zbritur tashmë në vetëm 5 për qind. Vetëm për 3 muaj tashmë e kemi plotësuar kriterin kryesor që të bëhemi pjesë e kartonit të gjelbërt. Punë të mira po bëhen”, ka shkruar ai.
Informata e fundit rreth numrit të automjeteve të paregjistruara në Kosovë ishte 208 mijë, apo mbi 30 përqind e automjeteve në vend.
Numri i atyre që janë të regjistruara është 370 mijë.
Mbi gjysma e automjeteve në BeH më të vjetra se 16 vjet
Mosha mesatare e mjeteve motorike në Bosnjë e Hercegovinë është 16 vjeç. Rreth 55 për qind e automjeteve të regjistruara në Bosnjë dhe Hercegovinë janë më të vjetra se 19 vjet dhe më shumë se 80 për qind e flotës së automjeteve është më e vjetër se 14 vjet.
Në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 2020 ka pasur 1.108.711 automjete të regjistruara, ndërsa nuk ka të dhëna se sa të tjera qarkullojnë në komunikacion të paregjistruara.
Numri i automjeteve më të vjetra se 27 vjet përbën ende më shumë se një të gjashtën e flotës totale të automjeteve, ndërsa numri i automjeteve me motorë Euro 3 dhe Euro 4 përbën më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të automjeteve të regjistruara.
Maqedonia e Veriut, përvojë të rëndë me autobusët
Maqedonia e Veriut ka një përvojë të hidhur dhe shumë të afërt me problemet e autobusëve që kryejnë transport publik dhe ndërkombëtar të qytetarëve. Gjatë viteve të kaluara janë regjistruar dy tragjedi ku kanë marrë pjesë autobusë nga Maqedonia e Veriut.
Muaj më parë ministria e Punëve të Brendshme, njoftoi se në një kontroll rutinor vetëm brenda një dite janë zbuluar 60 autobusë me defekt, me të cilat kryhet transport publik në mbarë Maqedoninë. Pas konstatimit të këtyre defekteve autobusët u larguan nga qarkullimi në komunikacion.
19 Gus 2022
Ballkani vlon prej automjeteve të vjetra me defekte
Kosova është i vetmi shtet në rajon i cili nuk është i anëtarësuar në Byronë e Kartonit të Gjelbër të BE-së.
TRT Balkan
Lajme të ngjashme
Indeksi i Paqes: Maqedonia e Veriut e para, Kosova e fundit në rajon
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut cilësohet si më e sigurta, ndërsa Kosova ndonëse me përmirësim prej 8 pozitave, mbetet më pak e sigurta në Ballkanin Perëndimor. Serbia shënon rënie për 5 vende në Indeksin e Paqes.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore