Bullgaria ndaloi hyrjen e automjeteve me targa ruse.     /Foto: Reuters

Bullgaria i është bashkuar disa vendeve evropiane me ndalesën e hyrjes së automjeteve private me targa ruse.

Në njoftimin e Agjencisë së Doganave thuhet se automjeteve me targa ruse deri më 10 pasagjerë u ndalohet hyrja dhe kalimi transit në vend.

Siç thonë nga Agjencia e Doganave, MPB-ja dhe Policia Kufitare do të jenë përgjegjëse për mbikëqyrjen e këtij ndalimi të ri, i cili u fut me rekomandimin e Komisionit Evropian dhe u aplikua ndaj Rusisë për shkak të luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës.

Theksohet se automjetet që i përkasin misioneve diplomatike ruse do të përjashtohen nga kjo praktikë.

Është bërë e ditur se të gjitha automjeteve të tjera me targa ruse që ndodhen në Bullgari, u është dhënë 6 muaj afat për t'u larguar nga vendi.

Kryeinspektori i Policisë Kufitare, Anton Zlatanov, në deklaratën e tij tha se përveç automjeteve me targa ruse, ndalim do të vendoset edhe për disa pasuri personale të qytetarëve rusë, lista e të cilave do të përcaktohet më vonë.

Zlatanov tha se numri i automjeteve me targa ruse që hyjnë në Bullgari është relativisht i ulët.

Tetë shtete të BE-së ndalojnë automjetet me targa ruse

Me Bullgarinë, numri i vendeve në Evropë që ndalojnë automjetet me targa ruse është rritur në 8. Ky ndalim ishte vendosur më parë në Estoni, Letoni, Lituani, Finlandë, Poloni, Gjermani dhe Norvegji, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian (BE), por është e përfshirë në zonën Shengen.

TRT Balkan / agjencitë