Presionet e shpenzimeve fiskale pas goditjeve të shkaktuara nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimit e kanë amortizuar rritjen e të ardhurave publike që solli inflacioni i lartë, si dhe e kanë ndalur konsolidimin fiskal.

Situata ekonomike në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vazhdon të ndikohet nga lufta e vazhdueshme në Ukrainë si dhe rritja e madhe e çmimeve të energjisë dhe ngadalësimi i rritjes globale, thuhet në Raportin e fundit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të përgatitur nga Banka Botërore.
Sipas raportit, këto kriza krijojnë sfida të forta për rajonin, pavarësisht rritjes më të mirë se sa pritej që nga fillimi i vitit.
Në një komunikatë për media thuhet se këto kriza po kthehen në pengesa për rajonin, përkundër rritjes më të lartë seç pritej më herët këtë vit.

Falë nxitjes prej konsumit dhe investimeve private, gjysma e parë e vitit 2022 u shoqërua me rritje solide ekonomike që i tejkaloj pritjet.

Në mesin e vitit 2022, nivelet e punësimit kapën pikat më të larta historike në disa prej vendeve të rajonit, ndërsa shkalla mesatare e punësimit në rajon tanimë është 46 për qind, duke u rritur për 3 pikë përqindjeje krahasuar me mesin e vitit 2021.

Të gjithë sektorët kontribuuan në rimëkëmbjen e tregut të punës, por ishin shërbimet (përfshirë turizmin) që luajtën rol madhor. Sidoqoftë, vrulli i rritjes veçse ka filluar të ngadalësohet përballë sfidave në rritje.

Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve e kanë shtyrë inflacionin në nivele që nuk janë parë prej shumë vitesh, duke e dobësuar fuqinë blerëse dhe besimin e bizneseve. Aktiviteti në tregun e punës po fillon të ulet teksa shihet ngadalësim i ritmit të punësimit përballë inflacionit të lartë dhe rritjes së pasigurisë.

Edhe pse gjatë vitit 2022 vazhduan trendet rënëse të shkallëve të varfërisë, inflacioni shumë i lartë paraqet rreziqe për uljen e varfërisë në të ardhmen. Po të mos ishte mbështetja prej qeverive, ashpërsia e tronditjes së shkaktuar prej çmimeve të energjisë dhe ushqimeve mund të rezultonte me rritje për 13 për qind në numrin e qytetarëve të varfër në Ballkanin Perëndimor.

“Qeveritë e Ballkanit Perëndimor po i marrin masat e nevojshme si kundërpërgjigje ndaj rritjes së inflacionit dhe krizës energjetike, por çmimi që po paguhet është i lartë: shpenzimet publike janë rritur ndjeshëm”, tha Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Ajo shtoi se me rëndësi kritike është që këto masa t’i zbusin ndikimet e krizave tek amvisëritë dhe bizneset më të cenuara, dhe se Banka Botërore është e gatshme t’i mbështesë vendet në këto përpjekje.

Presionet e shpenzimeve fiskale pas goditjeve të shkaktuara nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimit e kanë amortizuar rritjen e të ardhurave publike që solli inflacioni i lartë, si dhe e kanë ndalur konsolidimin fiskal.

Borxhi publik dhe ai i garantuar publikisht pritet të ulet gjatë vitit 2022, por sërish do të mbetet mbi nivelin kulmor të arritur para COVID-it, ndërkohë që kushtet e financimit po shtrëngohen teksa politika monetare globale po përpiqet ta zbusë goditjen prej inflacionit.

“Teksa gjysma e parë të vitit 2022 rezultoi me rritje relativisht solide, tanimë është e qartë se rajonin e pret një stuhi tjetër”, tha Sanja Madzarevic-Sujster, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe njëri prej autorëve kryesorë të raportit.

Veç shtrëngimit të kushteve të financimit, raporti vë në pah se ende ekziston risku që COVID-19 të shpërthejë sërish gjatë dimrit, ndërsa zinxhirët globalë të furnizimit vazhdojnë të jenë në gjendje stresi.

Maqedonia e Veriut me inflacionin më të lartë

"E goditur nga lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike, Maqedonia e Veriut po përballet me inflacionin më të lartë deri më tani, gjë që redukton në mënyrë disproporcionale të ardhurat reale të të varfërve. Me hapësirë të kufizuar fiskale, rritje të borxhit publik dhe rritje të kostove të financimit, mbështetja fiskale duhet të synohet për familjet dhe kompanitë më të cenueshme. Në të njëjtën kohë, shtrëngimi i politikës monetare duhet të vendosë një ekuilibër midis shtypjes së inflacionit dhe shmangies së një ngadalësimi të aktivitetit ekonomik", thuhet në raport.

Drejtori i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovës, Massimiliano Paolucci, tha se mbështetja e qeverisë për grupet e cenueshme nga energjia është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur, por masat duhet të jenë të synuara dhe të kufizuara në kohë për të minimizuar rreziqet fiskale.
"Në të njëjtën kohë, fokusi duhet të vazhdojë të jetë në reformat strukturore të vonuara prej kohësh për të nxitur rritjen dhe për të krijuar vende të reja pune", tha ai.
Sipas raportit, reforma të tilla përfshijnë masa për rritjen e nivelit të konkurrencës në treg, heqjen e barrierave për hyrjen e bizneseve, përmirësimin e mbajtjes dhe riinvestimit të investitorëve të huaj, uljen e barrierave për pjesëmarrjen e femrave në fuqinë punëtore, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe ngritjen e standardeve të menaxhimit, përfshirë dixhitalizimin.
Kriza aktuale, gjithashtu, thekson rëndësinë e një tranzicioni të gjelbër të përshpejtuar në rajon, larg nga hidrokarburet e paqëndrueshme drejt prodhimit më të pastër të energjisë elektrike si dhe modeleve më të gjelbra të prodhimit dhe konsumit, thuhet në raport. Kosova në rritje të moderuar ekonomike Banka Botërore në prezantimin e saj për ekonominë në Ballkanin Perëndimor ka bërë të ditur se Kosova pas një rimëkëmbjeje më të fortë sesa pritej në vitin 2021, kaloi në rritje të moderuar ekonomike në fillim të vitit 2022.

Sipas raportit të Bankës Botërore, në vitin 2022 rritja pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind nën ndikimin e rënies së fuqisë blerëse dhe rritjes së kostove të inputeve për amvisëri dhe ndërmarrje.

Në raport theksohet se në vitin 2021 prodhimi real u rrit me 10.5 për qind, një vlerë kjo rekord, e mbështetur nga ringritja e kërkesës së brendshme dhe nga rritja e fuqishme e eksporteve ndërsa gjatë muajve të parë të vitit 2022 rritja ekonomike e humbi vrullin duke qenë se rritja e inflacionit dhe goditja në sektorin energjetik u kthyen në barrë të konsiderueshme për aktivitetin ekonomik.

“Si importuese neto e ushqimeve dhe energjisë, Kosova është veçanërisht e cenueshme nga inflacioni i importuar, i cili në kontekstin aktual filloi ta dobësojë fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat”, thuhet në raport.

TRT Balkan / agjencitë