Banka Botërore ka rishikuar në rritje me 0,8% pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2023, duke projektuar tashmë 3,6%, nga 2,8% që ishte parashikuar në qershor të këtij viti.
“Ekonomia e Shqipërisë ka shfaqur qëndrueshmëri të konsiderueshme kundrejt goditjeve të njëpasnjëshme gjatë periudhës 2019-2022, duke nisur me tërmetin, pandeminë dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Po ashtu, sipas Bankës Botërore ekonomia shënoi rimëkëmbje të fortë, me një rritje në masën 8,9% në vitin 2021 dhe 4,8% në vitin 2022.
“Normat e varfërisë vijuan trendin rënës edhe përgjatë vitit 2022. Faktor kyç në qëndrueshmërinë e Shqipërisë vlerësohet të jetë afërsia me Bashkimin Evropian, që lehtëson investimet, remitancat dhe eksportet. Ndërtimi dhe turizmi vlerësohen si katalizatorë kyç të rritjes ekonomike”, shkruhet në raportin e BB-së.
Referuar zhvillimeve aktuale, BB-ja thekson se indikatorët kryesorë ekonomikë sugjerojnë përshpejtim të rritjes gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë, me numrin rekord të vizitorëve të huaj në korrik 2022 dhe përshpejtimin e aktivitetit të ndërtimit. Rritja e të ardhurave nga punësimi, rritja e kreditimit, indikatorët e ndjesisë ekonomike të bizneseve dhe konsumatorëve, si edhe të ardhurat nga taksat sugjerojnë një rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë dhe të tretë, si pasojë e rritjes së konsumit, investimeve dhe eksporteve.
Punësimi u rrit me 4,4% në tremujorin e parë 2023.
Rritja e pagave dhe punësimi incentivuan pjesëmarrjen e krahut të punës (mosha 15+) në punësim, e cila arriti në 64% në tremujorin e parë 2023, shifra më e lartë që nga viti 2019. Nisur nga rritja e fortë e GDP-së për frymë në vitin 2023, varfëria projektohet të zbresë me 1,9%, duke arritur në 22,2%.
Borxhi publik pritet të zbresë në nivelin 63,1% e PPB-së në vitin 2023 dhe projektohet të zbresë edhe më shumë në afatmesëm, si pasojë e rritjes së lartë nominale dhe reduktimit gradual të deficitit fiskal, parashikon në raportin e fundit Banka Botërore.