Bankimi nëpërmjet internetit, dhe veçanërisht bankimi nëpërmjet aplikacioneve mobile, është vazhdimisht në rritje në rajon, por është ende larg nivelit të Bashkimit Evropian, ku më shumë se gjysma e popullsisë nuk shkon në bankë për transaksione ditore.
Në rajon, vetëm 17 për qind e qytetarëve përdorin kompjuterë dhe telefona celularë për transaksione financiare, për dallim nga pothuajse 57 për qind në BE.
Sipas Eurostatit, në Norvegji pothuajse askush nuk shkon në bankë, kështu që 95,48 për qind e qytetarëve përdorin bankim me internet, dhe e njëjta gjë është në Finlandë – 94,68 për qind dhe Danimarkë 94,35 për qind.
Kroacia, e cila është pjesë territoriale e rajonit, por është anëtare e BE-së, është brenda mesatares me 57,96 për qind të përdoruesve të bankimit në internet.
Bazuar në të dhënat e Bankës Kombëtare Kroate, gjatë vitit 2022, konsumatori mesatar ka kryer mesatarisht 61 transaksione me shërbimin e bankimit celular me një vlerë totale prej 52.122 kuna, dhe nëpërmjet bankimit klasik në internet me kompjuterë personalë, vetëm 12 transaksione me vlerë 16.646 kuna.
Në BE sportelet e bankave ende favorizohen nga rumunët, prej të cilëve vetëm 19,19 për qind përdorin bankim në internet, si dhe 22,44 për qind e bullgarëve, që është nën mesataren e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, të cilët janë liderë në rajon në bankimin onlajn.
Në Serbi, 3,4 milionë qytetarë përdorin bankim celular
Sipas Eurostatit, në Serbi vitin e kaluar 24,84 për qind e qytetarëve kanë përdorur bankim digjital.
Banka Popullore e Serbisë thotë se vitin e kaluar numri i përdoruesve të bankimit elektronik është rritur për 8,46 për qind në krahasim me vitin 2021, ndërsa numri i përdoruesve të bankimit celular është rritur për 20,58 për qind dhe numri i transaksioneve është në rritje nga 26,04 për qind.
Sipas Bankës Qendrore, kjo tregon një riorientim të përdoruesve drejt përdorimit më të madh të aplikacioneve celulare.
Në tremujorin e parë të vitit 2023, bankim mobil kanë përdorur 3.494.654 qytetarë, që është 11,66 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i transaksioneve të kryera nëpërmjet kompjuterëve personalë është ulur me 4,47 për qind dhe numri i transaksioneve të kryera me bankim celular është rritur me 27,80 për qind.
Të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut thonë se vitin e kaluar 26,5 për qind e qytetarëve kanë përdorur bankim me internet, që është një rënie në krahasim me 30,3 për qind në vitin 2021.
Megjithatë, në vitin 2022, për herë të parë u regjistrua një përdorim më i madh i aplikacioneve celulare, gjë që vërteton faktin se qytetarët përdorin dukshëm privilegjet dhe komoditetin e këtij lloji të pagesës. Qytetarët përdornin aplikacione celulare për inicimin e transfertave elektronike të kredive me një pjesëmarrje prej 54,2 për qind, krahasuar me 45% që përdornin kompjuterë personalë.
Numri i transaksioneve të pagesave të kryera nëpërmjet telefonit celular është gjithashtu në rritje në tremujorin e parë të këtij viti dhe është më i lartë me 23,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Në të njëjtën kohë, rritje prej 3.5% është shënuar edhe në pagesat me kompjuter personal.
Në Shqipëri 267 miliardë lekë transaksione me aplikacione celulare
Në Mal të Zi në vitin 2022, 11,35 për qind e qytetarëve kanë përdorur bankim në internet, që është një rritje krahasuar me 8 për qind vitin e kaluar dhe 12,82 për qind në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 2021, tregojnë statistikat e Eurostatit.
Sipas Bankës Qendrore të BeH-së, në vitin 2022, 1.225.498 qytetarë kishin llogari elektronike, nga të cilat vetëm 32 për qind bënin bankim në internet. Megjithatë, 68 për qind e tyre përdorën aplikacione celulare për transaksione.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në vitin 2022 transaksionet onlajn tejkaluan për herë të parë numrin e transfertave me para të gatshme dhe janë në vendin e dytë ndër instrumentet e pagesave më të përdorura – 18,6 për qind. Numri i pagesave nëpërmjet bankimit mobil arriti në 2,3 milionë transaksione ose një rritje prej 29,3% krahasuar me vitin 2021 dhe vlera e tyre është 267 miliardë lekë ose 21,7% më shumë se një vit më parë.
Sipas Eurostatit, por me të dhënat për vitin 2020, në Kosovë 8,90 për qind e qytetarëve përdorin shërbime bankare në internet.
Banka Qendrore e Kosovës thotë se në vitin 2021, nga rreth 2,4 milionë llogari bankare, më shumë se 537 mijë kanë pasur qasje onlajn, që është 30 për qind më shumë se në vitin 2020.