Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me Delegacionin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, të paraprirë nga Mimi Kodheli, kryetarja e Komisionit.
Siç njofton Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, Xhaferi shprehu kënaqësi për takimin dhe theksoi se të dyja vendet ndërtojnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale.
"Intensiteti i vizitave të realizuara bilaterale në të gjitha nivelet është një nga treguesit më të mirë për cilësinë e raporteve ndërmjet dy shteteve. Ai shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhme, me dinamikë akoma më të madhe. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndajnë qëllime dhe interesa të përbashkëta në planin e jashtëm-politik, dhe ky është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, si edhe thellimi i bashkëpunimit rajonal", thuhet në njoftim.
Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, Kodheli, theksoi se të dyja vendet ndajnë vlera dhe histori të përbashkët, si edhe aspirata të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
"Ajo potencoi se nevojitet demokratizim i mëtejmë i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim që i gjithë rajoni të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Sugjeroi se kanë respekt të thellë për përpjekjet dhe vendimet e vështira që i ka marrë Republika e Maqedonisë së Veriut, duke e marrë parasysh ardhmërinë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve", thuhet në njoftim.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën pritje dhe shpresë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bashkë do ta vazhdojnë rrugëtimin drejt integrimit evropian.