Britania e Madhe do të punojë në partneritet me Shqipërinë për të parandaluar emigrantët e parregullt shqiptarë që hyjnë në vend me gomone të vogla përgjatë Kanalit të Manshit dhe për të dëbuar ata që kalojnë ilegalisht.
Në njoftimin e bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Britanisë, thuhet se në bisedën mes sekretares Priti Patel dhe homologut të saj shqiptar, Bledar Çuçi, janë zotuar të intensifikojnë punën e përbashkët për të parandaluar një numër të madh shqiptarësh që kalojnë në Britani nëpërmjet Kanalit të Manshit përmes trafikuesve të qenieve njerëzore.
Në njoftim thuhet se emigrantët e parregullt nga Shqipëria kalojnë shumë vende për të arritur në Britani dhe shumë prej tyre kanë bërë kërkesa të pabazuara për azil pas mbërritjes.
Shqipëria premton mbështetje të nivelit të lartë të forcave të zbatimit të ligjit
Ndërkohë, sipas njoftimit, Shqipëria i ka premtuar Britanisë se do t'i japë mbështetje të nivelit të lartë të forcave të zbatimit të ligjit për të ndihmuar në dëbimin e shpejtë të atyre që mbërrijnë në Britani me gomone të vogla.
Gjithashtu theksohet se autoritetet shqiptare do të ofrojnë informacion dhe procedura mbështetëse për autoritetet britanike.
"Abuzimi ndaj sistemit tonë të emigracionit nuk mund të vazhdojë"
Në vlerësimin e saj Patel që gjithashtu bën pjesë në deklaratë thotë se: "Një numër i madh shqiptarësh nisin udhëtimet e tyre të pabesë me gomone të brishtë drejt Britanisë me gënjeshtrat e trafikuesve të qenieve njerëzore dhe bandave keqdashëse të krimit të organizuar. Abuzimi ndaj sistemit tonë të emigracionit dhe rrezikimi i tillë i jetëve të njerëzve nuk mund të vazhdojë. Falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyer me Shqipërinë, do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të përshpejtuar deportimin e shqiptarëve që nuk kanë të drejtë të jenë në Britaninë e Madhe".
Ministri Çuçi nga ana e tij, duke vënë në dukje udhëtimet e paligjshme dhe të rrezikshme të emigrantëve, tha se me homologen e tij kanë trajtuar zgjidhje afatmesme për të ofruar mundësi më të mira për të rinjtë dhe rrugë legale të migrimit që u mundësojnë profesionistëve të aftë dhe fuqisë punëtore akses në Britani.
Gjithashtu, deklarata informoi se që nga marrëveshja e riatdhesimit e nënshkruar mes Britanisë dhe Shqipërisë vitin e kaluar, rreth 1.000 kriminelë me origjinë shqiptare janë dëbuar nga Britania.
Zyrtarët e qeverisë britanike supozojnë se rreth 60 për qind e emigrantëve të parregullt që kalojnë kanalin anglez çdo ditë janë shqiptarë, megjithëse shifrat ndryshojnë.