Presidenti i Republikës Bajram Begaj në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar, vlerësoi mbështetjen në procesin e integrimit europian të dhënë për vendin tonë.
“Shqipëria dhe Sllovenia gëzojnë një miqësi tradicionale dhe zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira, të cilat bazohen jo vetëm në interesa të përbashkëta dypalëshe dhe rajonale, por edhe në vlera të përbashkëta dhe partneritete strategjike, sidomos në kuadër të NATO-s dhe perspektivës së përbashkët europiane”, tha Begaj.
Shqiptarët që jetojnë në Slloveninë mike, theksoi Begaj, janë një garanci e shtuar e bashkëpunimit tonë të suksesshëm, të sotëm dhe në të ardhmen.
Ai vlerësoi si të çmuar mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë në procesin e zgjerimit europian të Ballkanit dhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE në veçanti.
“Roli juaj në kuadër të “Miqve të Ballkanit Perëndimor” është një prej dëshmive të shumta”, tha Begaj.
Sipas tij, zgjerimi 2030 që doli si produkt i forumit strategjik të BLED-it është prova konkrete e mbështetjes sllovene. “Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë fort të bëjmë realitet këtë plan”, theksoi ai.
“Shqipëria është një zë i fuqishëm i integrimit Euroatlantik të rajonit. Si një popull historikisht paqedashës, ne jemi të interesuar për një rajon në paqe, të zhvilluar, me sytë nga Evropa dhe të integruar në vetvete”, u shpreh Begaj.
Ai konstatoi se Shqipëria dhe Sllovenia marrin pjesë aktive në nisma dhe forume rajonale, duke veçuar Forumin e Bledit, procesin e Brdo-Brijuni dhe atë të Berlinit.
“Në veçanti, roli i Sllovenisë nëpërmjet Forumit të Bledit dhe Procesit të Brdo-Brijuni është me rëndësi për ne, sepse këto dy platforma vazhdojnë të mbështesin dhe kontribuojnë në perspektivën evropiane të rajonit tonë”, tha Begaj.
Po kaq me rëndësi, vijoi ai, ka qenë njohja e Kosovës nga Sllovenia, si një nga shtetet e para që hodhi një hap të tillë.
“Pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe kontribuues në paqen dhe sigurinë e rajonit tonë. Shqiptarët e rajonit janë faktor stabilizues dhe me orientim Euroatlantik. Kjo u tregua edhe në rolin vendimtar të tyre në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO. Kjo dëshmohet edhe në përafrimin e shpejtë të Kosovës drejt NATO-s”, theksoi Presidenti. Ai ftoi sipërmarrësit sllovenë të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në sektorët e turizmit, financës, bujqësisë, teknologjisë së informacionit, energjisë dhe shumë të tjera.
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar, theksoi sot në Tiranë se Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në fjalën e saj në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Bajram Begaj, Musar tha se “zgjedhjet europiane me siguri do të jenë tregues i rëndësishëm i drejtimit se ku do të shkojë Europa”.
“Në dy vitet e para të detyrës sime fokusi ka qenë në Ballkanin Perëndimor. Shkaku është i thjeshtë se Sllovenia beson se vendi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Jam shumë e kënaqur me fjalët e Charles Michel në Bled vitin e kaluar se BE-ja do të duhet të pranojë deri në vitin 2030 shtetet e këtij rajoni. Për Shqipërinë kjo nuk është e pamundur, kur lexoj rezultatet e vendit tuaj jam shumë e kënaqur”, nënvizoi Musar.
Presidentja sllovene Pirc-Musar u shpreh se “më kënaq lufta juaj kundër korrupsionit, SPAK-u juaj ka një besim të çmuar. Shpesh them se asnjë shtet nuk është imun ndaj korrupsionit dhe krimit, as shteti im është i tillë dhe besoj se një rrugë e tillë është e njëjtë”.
Musar e vuri theksin në fjalën e saj edhe te marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
“Rolet bilaterale mes shteteve tona janë të rëndësishme pasi s’kemi çështje të hapura mes shteteve, por të dy jemi të bindur se mund të bëjmë edhe më shumë. Në 2022 shkëmbimet e mallrave arritën në 92 milionë euro, ndërsa në 2023 arritën në 104 milionë dhe këtu ka vend të madh për rritje të mëtejshme të tyre”, tha Musar.
Duke folur për turizmin, Musar tha se “jam e kënaqur me përparimin e Shqipërisë në fushën e turizmit. Këtë vit ju arritët mbi 10 milionë turistë, ndërsa këtë vit besoj se do të keni 14 -16 milionë turistë. Jam e gëzuar që për çdo vit sllovenët vijnë në Shqipëri. Vitin e kaluar ishin më shumë se 20 mijë sllovenë”.
Sipas saj, numri i madh i turistëve sjell edhe përgjegjësi më të madhe.
“Angazhohem për zhvillimin e gjelbër të qëndrueshëm, këtu mund të bëjmë shumë bashkarisht. Sllovenia ka drejtim të tillë dhe mund të mësojmë shumë nga njëri tjetri”, tha Musar.
Presidentja sllovene foli edhe për rezolutën për Srebrenicën që pritet të votohet në OKB pasditen e sotme, me çka theksoi se ndihet e kënaqur që para votimit për Srebrenicën, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë bashkuar, përveç Serbisë. “Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa të rëndësishme janë këto rezoluta edhe për shkak të konflikteve, luftës në Gaza më thyen zemrën dhe shpesh nuk më lë të fle. Ne politikanët duhet të flasim se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur në Srebrenicë”, tha Musar dhe shtoi se nuk dyshon se udhëheqësit shtetërorë do të gjejnë zgjidhje, pasi shpesh harrojmë civilët që e pësojnë më së shumti në këto luftëra, si në Ukrainë, Gaza dhe Sudan.