Duke vendos lule tek varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe duke bërë homazhe pranë memorialit të familjes Jashari në Prekaz, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj e ka filluar ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovës.
“Nderim për presidentin Ibrahim Rugova, udhëheqësin vizionar e qëndrestar dhe themelues i pavarësisë së Kosovës”, shkruan presidenti Begaj në Facebook.
Në përshkrimin e tij për vizitën në Prekaz, ai shprehet se përulet me respekt përpara familjes Jashari dhe UÇK-së, faqe e ndritur të historisë sonë të përbashkët, që bën krenar çdo shqiptar.
“Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, flamurit dhe identitetit kombëtar nuk do të arrijë kurrë të zbehë këtë trashëgimi të lavdishme”, thekson presidenti Begaj.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme ai zhvilloi takime me krerët e shtetit të Kosovës, me çka potencoi se Shqipëria do të jetë një zëdhënëse e interesave tw Kosovës.