Gjatë vizitës zyrtare në Sarajevë, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj zhvilloi një takim të veçantë me shqiptarët që jetojnë në Bosnjë e Hercegovinë.
Komuniteti i përfaqësuar në Sarajevë e Mostar nga shoqata “Bashkësia Shqiptare në Bosnjë e Hercegovinë” ndau me Presidentin Begaj shqetësimet për çështjen e respektimit të të drejtave të plota si pakicë.
Presidenti Begaj vlerësoi integrimin natyror të komunitetit shqiptar në shoqërinë e Bosnjë e Hercegovinës, duke u zotuar për adresimin e shqetësimeve të tyre.
Rihapja e ambasadave përkatëse nga të dyja shtetet u konsiderua një lajm i mirë për ndihmën që do t’i japë këtij komuniteti.
Shqiptarët në Bosnjë e Hercegovinë nuk përfshihen në tri grupet etnike me të drejtë përfaqësimi në vendimmarrje dhe ky kategorizim i penalizon ata nga pjesëmarrja në politikë, në strukturat lokale dhe ato qendrore.
Presidenti Begaj u shpreh gjatë bashkëbisedimit me komunitetin shqiptar se këtë shqetësim e ka ngritur gjatë takimeve që zhvilloi me Presidentin e radhës së Bosnjë-Hercegovinës, anëtarët e Presidencës dhe Kryeministren e vendit.
Gjithashtu, Presidenti Begaj përgëzoi përpjekjet për ruajtjen e gjuhës, traditave, identitetit kombëtar, ndërsa siguroi se do të jetë krah shqiptarëve në Bosnjë e Hercegovinë në mënyrë që ata t’i gëzojnë këto të drejta, ashtu si minoriteti boshnjak dhe serb në Shqipëri.