Begaj në Shkup takoi Xhaferin dhe Gashin.    /Foto: AA

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj zhvilloi sot në Shkup takime me kryeministrin dhe kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe Afrim Gashi.

Begaj i uroi Gashit përmbushjen me sukses të angazhimeve në detyrën e re të kryeparlamentarit, ndërsa vlerësoi faktin e përfaqësimit shqiptar në krye të institucioneve drejtuese të Maqedonisë së Veriut.

Gjatë bisedës, u theksua rëndësia e mësimeve nga e kaluara dhe nevoja për të mos përsëritur gabimet.

Begaj në Shkup takoi Xhaferin dhe Gashin. AA

“Ne, si persona me funksione publike, duhet të kemi kujdes të mos përsërisim gabimet e së shkuarës dhe të punojmë për një të tashme e të ardhme më të mirë”, u shpreh Begaj.

Presidenti Begaj tha se “brezave të rinj duhet t’u lëmë një trashëgimi të përbashkët rajonale, të ndërtuar mbi urat e miqësisë, të cilat, në dallim nga e kaluara, ku urat më shumë shkatërroheshin, tani ndërtohen lart”.

Bashkëpunimi mes dy vendeve u përshkrua si i shkëlqyer, ndërsa u vunë në dukje edhe hapësirat e mbetura për përmirësim.

“Ne duhet të punojmë së bashku si shqiptarë, si maqedonas dhe si qytetarë të këtij rajoni”, tha Begaj, duke theksuar angazhimin për të vazhduar zgjerimin e bashkëpunimit. Në takimin ke kryeministrin Xhaferi, presidenti Begaj e vlerësoi përkushtimin dhe rolin vendimtar të shqiptarëve në proceset e shtetformimit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se bashkëpunimi ndërshtetëror dhe ndërkomunitar është çelësi i suksesit dhe stabilitetit rajonal.

Begaj i vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si të shkëlqyera në nivelin politik, ndërsa propozoi zgjerimin e tyre në fusha të tjera me interes reciprok, si në ekonomi, në shkëmbime tregtare e kulturore, në sektorin e energjisë dhe të turizmit.

Presidenti i Shqipërisë theksoi se duhet punuar fort për avancimin e projekteve të nisura në këto fusha.

TRT Balkan / agjencitë