Begaj nga selia e NATO-s: Rusia përbën kërcënim ndaj Ballkanit Perëndimor.     /Foto: Bajram Begaj/Facebook

Angazhimi i Shqipërisë në NATO do të vijojë të rritet, deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët për media me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“U bë më shumë se një vit që jemi dëshmitarë të një lufte konvencionale në Europë, rezultat i një akti të paprecedentë të agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj një vendi sovran, Ukrainës. Ky akt ka tronditur paqen, stabilitetin dhe arkitekturën e sigurisë në Europë. NATO-ja ka demonstruar kohezion, solidaritet, unitet, vendosmëri dhe forcë reaguese për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të Aleancës dhe vendeve anëtare”, theksoi presidenti Begaj.

Sipas tij, situata aktuale e bën të domosdoshme që rendi i qetësisë dhe i paqes ndërkombëtare të jetë fokusi i Shqipërisë.

Në vijim, Begaj tha se në Samitin e Madridit aleatët rikonfirmuan rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.

“Rusia përbën kërcënim domethënës dhe direkt ndaj NATO-s dhe Ballkanit Perëndimor. Ajo ka rritur përpjekjet e saj influencuese duke përdorur metoda të luftës hibride, subversionit politik, financimeve të paligjshme etj. Qëllimi i saj është prishja e paqes, stabilitetit dhe bllokimin e reformave euroatlantike të vendeve të rajonit. Kemi ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Republikës së Kosovës në fund të vitit të kaluar”, tha Begaj.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Shqipëria është një aleat i vlefshëm dhe se kontribuon në misionet e NATO-s. "Shqipëria ka kontribuar në mbështetjen e dhënë për Ukrainën kundër Rusisë ndërsa edhe NATO mbështet sigurinë e Shqipërisë", tha Stoltenberg.

"Ramë dakord për rëndësinë e pranisë së NATO-s në rajon, përfshirë misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë dhe zyrat tona në Sarajevë dhe Beograd. Gjithashtu, rrisim mbështetjen tonë për Bosnjë e Hercegovinën në drejtim të përforcimit të kapacitetit të tyre mbrojtës. E mirëpres avancimin e shënuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Shpresoj për zhvillimin e punimeve konstruktive në javët në vijim. NATO-ja mbështet fuqishëm stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Lidhur me këtë jemi në dijeni se mund t'i besojmë mbështetjes së Shqipërisë", tha Stoltenberg.

TRT Balkan / agjencitë