Begaj priti presidentin francez në Tiranë.     /Foto: AA 

Pas Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, presidenti i Francës Emmanuel Macron ka vazhduar qëndrimin e tij në Shqipëri duke zhvilluar një vizitë zyrtare me homologun e tij Bajram Begaj.

Ceremonia zyrtare e pritjes me nderimet ushtarake është zhvilluar në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ndërkohë të pranishëm ishin edhe zyrtarë të tjerë nga të dyja vendet.

Nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se kjo vizitë është një ngjarje historike në marrëdhëniet midis dy vendeve, pasi është vizita e parë zyrtare e një Presidenti të Francës në Shqipëri.

Sipas njoftimit, presidenti Begaj nënvizoi gjatë takimit se kjo vizitë demonstron interesin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në drejtim të paqes, sigurisë, dhe zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

"Pjesë e bisedimeve me Presidentin Macron ishin edhe integrimi evropian i Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon. Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen, për mbështetjen e vyer që Franca dhe Presidenti Macron i kanë dhënë e i japin procesit të zgjerimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit”, thuhet në njoftim.

Presidenti Begaj gjithashtu vlerësoi iniciativën e ndërmarrë një vit më parë nga Presidenti Macron, për lançimin e Komunitetit Politik Evropian, si një iniciativë që i jep më shumë mundësi Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate në Bashkimin Evropian, të kenë më shumë akses në projektet e BE-së, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve universitare dhe studentore", thuhet në njoftim.

Gjithashtu, theksohet se Presidenti Begaj falënderoi Presidentin Macron për kontributin në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, "veçanërisht nëpërmjet planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu, por edhe të nevojës së dënimit dhe të çkurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në komunat e veriut të Kosovës".

"Kosova është vend sovran dhe i pavarur, dhe akte terroriste si ajo e Banjskës në Zveçan (24 shtator 2023) janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit evropian", theksohet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Gjatë vizitës, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Macron do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.

TRT Balkan / agjencitë